Site icon PORTALB

Dashuria që shkaktoi një “tërmet” politik dhe diplomatik

Romanca e tyre shkaktoi një “tërmet” politik dhe diplomatik. Por, historia e jashtëzakonshme e dashurisë mes presidentit të parë të Botsvanës, Sir Seretse Khama, me një angleze të bardhë të klasës së mesme, Ruth Williams, zgjati pavarësisht pengesave dhe zemërimit.

Sipas “Daily Mail”, tashmë kjo histori do të rrëfehet në ekranin e madh. Aktorët britanikë, David Oyelowo dhe Rosamund Pike do të portretizojnë marrëdhënien që u bë fokus i krizës mes Britanisë dhe fqinjit të Botsvanës, Afrikës së Jugut.

Kështu, Seretse ishte një student i edukuar në Oksford, princ i familjes mbretërore të asaj që njihej si Behuanaland, një protektorat britanik.

Në vitin 1948, në moshën 27-vjeçare, ai u martua me britaniken Ruth, 24 vjeçe, punonjëse në një agjenci sigurimesh.

Por, martesa e tyre u kundërshtua me forcë nga babai i saj dhe familja e atij. Seretse ishte princi i një tribuje dhe ishte dërguar në Londër nga xhaxhai i tij për të studiuar për juridik dhe pasi të mbaronte studimet, duhej të kthehej në vendlindje për t’u martuar me një vajzë nga fisi.

Për këtë arsye, qeveria britanike dhe xhaxhai i tij bashkuan forcat për të kërkuar nga Seretse që të heqë dorë nga gruaja e tij e bardhë, ose të heqë dorë nga kurora. “Ata u dërguan në mërgim për shkak të dashurisë së tyre të ndaluar”, është shprehur Amma Asante.

Ruth Williams, e lindur në Blackheath të Londrës, ishte vajza e një ish-kapiteni të ushtrisë indiane, që punoi më vonë në tregtinë e çajit. Ajo pëlqente muzikën xhaz, ai po ashtu.

“Daily Mail” shkruan se të dy u takuan kur motra e Ruth, Muriel, e mori atë në një mbrëmje vallëzimi në vitin 1947.

Seretse i kërkoi të kërcenin dhe aty nisi romanca. Ishte një histori e jashtëzakonshme pasioni.

Në momentin që Ruth duhej të kërkonte nga babai i saj leje për martesën, ai refuzoi pasi nuk donte që e bija të martohej me një person me ngjyrë.

Ajo nuk e kishte menduar kurrë se historia e saj do shkaktonte një tërmet të tillë, deri në pikën kur një zyrtar i shkoi në zyrë dhe i tha: “Nëse e bën këtë gjë, do të rrëzosh perandorinë britanike në Afrikë”.

Afrika e Jugut ishte gati për të prezantuar politikat e apartejdit dhe martesa e një britanikeje me një afrikan do të shkaktonte një krizë kushtetuese dhe brenda Komonuelthit.

Duke qenë se një zyrtar nuk pranoi t’i martonte, ata e bënë këtë gjë në fshehtësi. Të dy u larguan drejt Afrikës, duke menduar se gjërat ishin zgjidhur.

Por xhaxhai i tij, Shefi Tshekedi mblodhi këshillin e të moshuarve të fisit dhe deklaruan se nuk e njohin Ruth-in si mbretëreshë të fisit.

Seretse dhe mbështetësit e tij e kuptuan se xhaxhai i tij, Tshekedi, në fakt donte të bëhej mbret. Kryeministri i Afrikës së Jugut vazhdonte i tërbuar.

Ai tha se kjo martesë është e neveritshme. Me gruan e tij shtatzënë, Seretse u ftua për në Londër. Ruth mbeti në Afrikë. E gjitha kjo ishte një kurth.

Në Londër, britanikët insistuan që ai të heqë dorë nga froni dhe në momentin që ai nur refuzoi, i thanë se nuk do e lejonin të kthehej në vendlindjen e tij.

Mbështetësit e Seretse formuan një komitet dhe i dërguan një letër mbretëreshës, duke i kërkuar që të lejojë ‘shefin’ e tyre të kthehej. Në këtë mënyrë ai u kthye, por hoqi dorë nga froni.

Më pas, ai mbajti të parat zgjedhje demokratike në vend dhe u votua presidenti i asaj që u bë shteti i Botsvanës.

Çifti ka një vajzë dhe tre djem dhe njëri prej tyre është tashmë president i Botsvanës. Në moshën 59-vjeçare, Secretse vdiq në krahët e gruas. Ndërsa vetë ajo vdiq në moshën 78-vjeçare në vitin 2002.

Exit mobile version