Site icon PORTALB

CRPM: Institucionet të mbyllura për qytetarët! (FOTO)

Qëndresa Sulejmani, CRPM

Në lidhje me atë se sa institucionet tona vendore kanë parimin e qeverisjes së mirë Qendra për hulumtim dhe krijim të politikave (CRPM) ka realizuar një hulumtim, raporton Portalb.

Informimi i publikut dhe qasja në informacione, transparenca dhe llogaridhënia buxhetore, përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje rreth politikave, gatishmëria për Vlerësim të ndikimit rregullativ (VNRR), monitorim i rregullativave dhe raportim mbi politikat, menaxhimi i konfliktit të interesave, transparenca e Kuvendit dhe mbikqyrja parlamentare, janë vlerësuar duke monitoruar faqet e institucioneve në internet. Megjithatë vetëm 6 institucione janë përgjigjur në pyetësorin e anketës, fakt ky që tregon mangësitë e institucioneve në aplikimin e parimeve të qeverisjes së mirë.

Në takim pune me gazetarë, hulumtuesja e këtij projekti Qëndresa Sulejmani theksoi nevojën që të maksimizohet shfrytëzimi i internetit dhe teknologjisë nga institucionet si mjete më efikase për të përmirësuar transparencën, llogaridhënien dhe komunikimin me qytetarët.

“Edhe pse të gjitha institucionet e përfshira në këtë hulumtim kanë faqe interneti të cilat azhurohen relativisht shpesh me lajme, dokumentet dhe të dhënat për punën e institucioneve që ata publikojnë variojnë në mënyrë të konsiderueshme. Sa për ilustrim 10 vite pas miratimit të Ligjit për qasje të lirë në informacione me karakter publik 3 institucione ende nuk kanë publikuar të dhëna për nëpunësin përgjegjës për koordinim të kërkesave për qasje të lirë. Vetëm 3 institucione u mundësojnë qytetarëve të regjistrohen për buletin elektronik. Vetëm Fondi për sigurim shëndetësor kishte publikuar plan për prokurim publik për vitin 2016. 13% e kanë publikuar pjesën e vetë të buxhetit. Asnjë institucion nuk publikon të dhëna për grupet punuese të përfshira në krijimin e rregullativave ose plan për konsultime publike”, ka theksuar hulumtuesja Sulejmani.

Anketa e realizuar me qytetarë zbulon se në krahasim me institucionet tjera qytetarët më shumë i besojnë sistemit arsimor në vend (44.1%) dhe më  pak partive politike me 75.6%. Në përgjithësi qytetarët nuk i vizitojnë faqet e institucioneve në internet për t’u informuar me punën e tyre dhe i preferojnë mediumet si zëvendësim. Qytetarët me moshë mbi 55 vjeçare kryesisht preferojnë televizionin (82.8%) ndërsa grupmosha 18-34 më shpesh informohen përmes portaleve informative në internet. Sa i përket pjesëmarrjes në vendimmarrje, mbi 90% e qytetarëve asnjëherë nuk e kanë vizituar Regjistrin e vetëm nacional elektronik për rregullativa (ENER). Në anën tjetër, edhe pse vetëm 10.9% e të anketuarve thonë se kanë marrë pjesë në konsultime të organizuara nga institucionet qendrore, 64.7% e tyre thonë se nuk dëshirojnë të informohen për takime konsultuese në të ardhmen.

Sipas Qëndresa Sulejmani, këto të dhëna përveç se sugjerojnë vetëdije të ulët qytetare, tregojnë dhe mendimin e qytetarëve se janë të parëndësishëm në proceset vendimmarrëse dhe të pafuqishëm për të ndikuar në vendime, jo sepse proceset konsultuese mungojnë tërësisht, por sepse shpesh herë janë të papërshtatshme për qytetarët e zakonshëm./Portalb

 

 

Exit mobile version