Site icon PORTALB

Vlerësimi i figurave politike zhvlerëson gazetarin

[Recension: “I pamposhturi, Ali Ahmeti”]

I verbëruar pas propagandës dhe tendencës për ta lartësuar një figurë politike gazetari shpesh del nga korniza profesionale. Asnjë gazetar që përshkruan realitetin si parajsë, që sheh perfeksionin në figurën e liderit të tij dhe që përpiqet në këtë mënyrë “t’i verbojë” edhe lexuesit e tij, nuk meriton të quhet ti tillë.

Linku deri te artikulli origjinal: “I pamposhturi, Ali Ahmeti

Data dhe koha e publikimit: 16.01.2016

Data e recensionit: 22.01.2016

Recensues: Xhenis Sulimani

Teksti me titull: “I pamposhturi, Ali Ahmeti” i ngjan një fjalimi në podiumin e një mitingu partiak të BDI-së. Tendenca e produktit vërehet që në titull.

 “Gjersa qeveritë binin Ali Ahmeti nuk po binte dot. Qeverisi me Branko Cërvenkovskin, Branko iku Ali Ahmeti mbeti, pas këtij erdhi Hari Kostov i cili poashtu iku por Ahmeti kurrsesi. Kryeministër tjetër që u rrëzua ishte Buçkovski por Ali Ahmeti fitoi përsëri. Në fund erdhi Gruevski”.

Gazetaria është për të mirën e përgjithshme dhe propaganda nuk ka asgjë të bëje me gazetarinë. Kodi etik gazetaresk, propagandat politike, i vlerëson si shkelje të standardeve profesionale. Propaganda për ndonjë parti politike ose opsion nuk ka asgjë të përbashkët me profesionin e gazetarit.

Ndryshe, teksti nuk është i balansuar dhe lexuesi e ka të pamundur të dijë se fjalët e shkruara janë të gazetarit apo të ndokujt tjetër. Duket se teksti nuk është shkruar për të qenë lajm. Pse ka përfunduar në rubrikën e aktualiteteve, nuk është e qartë.

Teksti flet për realizim ëndrre, për shpresë, për hapjen e mundësive, për eurointegrime, thuajse se po përshkruan parajsën e sjellur nga “i pamposhturi”.

“Duke hapur universitete. Drejt realizimit të ëndrrës. Drejt shpresës së madhe. Drejt rrugës euroatlantike. Koha e të tjerëve përfundoi. Koha e tij veçse ka filluar. Dikur u pat thënë: Ashtu siç ju munda në luftë, do ju mundi edhe në paqe. Dikur thënie. Dje e vërtetë. U tha, U bë.”

Tek në fund kuptojmë se teksti është marrë nga një faqe fantome që merret me propagandë partiake. Media mund të marrë informacione nga rrjetet sociale ose faqe interenei atëherë kur autorët e tyre janë burime të sigurta, të besueshme dhe kompetente. Ai tekst më pas, pas verifikimeve mund të trajtohet si një nga burimet e lajmit. Nuk është normale që të merret një tekst i tërë, pa përpunim, pa autor dhe pa asnjë kompetencë, dhe ai të zërë vend në një media.

Trajtimi i tekstit ndërkohë nuk është sipas piramidës së përmbysur por është trajtim kronologjik, e kundërta e asaj që është normë për lajmin.

Nëpërgjithsi kemi një tekst që nuk përmbush standarded e gazezarisë si nga aspekti teknik ashtu edhe etik, sepse qëllimi i tij është vlerësojë një figurë politike dhe jo të informojë.

Exit mobile version