Site icon PORTALB

Berisha: Rama i kërkoi vullnetarisht armët

Sali Berisha

Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha nga foltorja e Kuvendit akuzoi pasardhësin e tij Rama se është ofruar vullnetarisht për të shkatërruar armët kimike siriane në Shqipëri.

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Berisha tha se kryeministri “duhet tu japë shpjegime qytetarëve dhe jo t’ja mbathë nëpër vizita zyrtare”.

“Kryeministri i vendit ka bërë mega mashtrimin më të madh në histori, së pari partnerëve dhe komunitetit ndërkombëtar. Ai premtoi në New York vullnetarisht me pasion dhe entuziazëm në 3 takime të veçanta se Shqipëria mund të marrë përsipër këtë akt, të cilin e refuzoi Rusia, vetë SHBA, Gjermania, Britania, Norvegjia dhe shumë shtete të tjera. i mbeti Shqipërisë që krahasuar me këto shtete në hartë ngjan me një kokërr kikiriku.”- deklaroi Berisha.

Berisha ju referua edhe deklaratës së ekspertit Walker se Shqipëria ka pranuar ti shkatërrojë armët kimike, duke akuzuar mazhorancën për mashtrimin e qytetarëve.

Kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta, ka zgjedhur të bëjë ironi me Berishën duke i thënë që para se të besojë ekspertin amerikan të besojë atë me të cilin ka qeverisur për katër vjet. Meta duke iu kundërpërgjigjur Berishës tha se “e ka më të lehtë të besojë atë ekspertin që e cilësoi më të mirin në botë se sa të më besojë mua me të cilin ka qeverisur për katër vjet. Si mund të ketë vendim pa dëgjuar dhe zërin tënd në parlament.”

Por ish-kryeministri Berisha vijoi serinë e akuzave, duke thënë se NATO nuk i ka kërkuar asgjë qeverisë shqiptare për armët kimike, por është qeveria ajo që ka kërkuar vullnetarisht t’i shkatërrojë armët e Sirisë. “Kërkoj të vijë urgjent kryeministri, të japë llogari pse ka mashtruar shqiptarët. Pse ky amshim makbethian. Një njeri i qytetëruar nuk mund të luajë me një gjë të tillë. Të anulojë vizitën e tij në Beograd, të shkojë më vonë skam kundërshtim, sot është në ditën e mashtrimit të madh dhe duhet të vijë para qytetarëve shqiptarë. Mblidhni kryesinë e parlamentit shqyrtoni çdo ndryshim për referendum. Ju japim si zgjidhje referendumin, përndryshe sheshet dhe rrugët do të jenë parlamenti i Shqipërisë.”- deklaroi Berisha.

Sërish ka qenë Meta që ka replikuar me Berishën duke i thënë se po bën teatër. “Doni të bëni teatror, jua dhashë unë përgjigjen ne emër të kryeministrit. Interpelanca do të bëhet në kuvend për këtë çështje kaq serioze, por nuk do të kundërshtojmë rregulloren. Përjashtim do bëjmë vetëm për një deputet, i cili sot shkëlqeu edhe si ambientalist më në fund dhe kjo është për tu përshëndetur apo jo. Ç’armatosuni përpara se të flisni për armët e Sirisë, çarmatosuni vetë. Çdo gjë do zhvillohet në mënyrën më transparente të jeni shumë të qetë.”- tha Meta./ Mapo

Exit mobile version