Shtatë persona janë lënduar, prej të cilëve një zjarrfikës, mbrëmë pas shpërthimit të një bombole gazi në ndërtesën në rrugën “Bidimazh” në Prilep. Në zjarrin e shkaktuar pas shpërthimit të bobolës janë djegur gjashtë banesa. Sipas dëshmimit të njërit nga banuesit Nikolla Çevreski, gjithçka ka filluar në banesën e tij kur ngrohësja e gazit është djegur, raporton MIA.
“Ngrohësja e gazit u dogj. Më kapi paniku dhe nuk mundesha assesi të gjindem, ta shuaj. Bombolën e nxorra në korridor të ndërtesës. Pastaj vetëm shpërtheu zjarr dhe shpërtheu dhe nuk di asgjë. Gruaja ime është lënduar dhe tani është në spital”, thotë Çevreski, pronari i banesës ku ka filluar zjarri.
Zjarri i ka kapluar edhe banesat e rrethinës. Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë ekipet e shërbimit zjarrfikës dhe ndihmës urgjente mjekësore, të cilët një ngas një i nxirrnin banuesit nga ndërtesa dhe i dërgonin deri te spitali i qytetit “Borka Taleski” në Prilep.
Sipas komandantit të njësitit zjarrfikës Stanko Koleski, kanë mbërritur menjëherë pas shpërthimit të bombolës. “Kur mbërritëm kishte shpërthim të bombolës së gazit. Zjarri u përhap në banesat e rrethinës. Nuk kishte ndonjë dëm të madh material, por u dogjën gjashtë banesa”, thotë Koleski. Dy të lënduar më rëndë janë pranuar në repartin kirurgjik, ndërsa banuesit e tjerë të banesës të cilët kanë thithur tym, janë hospitalizuar në repartin intern. “Tek ne në repartin kirurgjik janë sjellë dy persona, njëri zjarrfikës, i cili kishte të djegur në duar, ndërsa tjetri person është grua më e moshuar me të djegura më të lehta.
Pacientët e tjerë të cilët kanë thithur tym janë dërguar në repartin intern”, tha dr. Gordana Joshiq nga reparti kirurgjik pranë spitalit të qytetit në Prilep. Qytetarët e lënduar menjëherë i vizitoi edhe kryetari i komunës së Prilepit, Marjan Risteski. Hetimi duhet të tregojë se si saktësisht është shkaktuar zjarri.