Site icon PORTALB

KTHIMI I JOSIF BAGERIT

Fatmir Sulejmani

Fatmir Sulejmani

Rekën, që nga shënimet e Pukëvilit, e gjejmë të banuar me popullatë shqiptare – me burra dinjitozë e me tigra të luftës malore, për të cilët kanë shkruar historianë të shumtë.

Kjo është faqja e dokumentuar e një të vërtete, kurse anën tjetër e përbën tema tabu e asimilimit tinëzak të njerëzve të kësaj krahine, të cilën po e çelim pas një shekulli të plotë heshtjeje prej peshku.

Sidoqoftë, tani nuk është koha e marrjes me paradoksin fyes për dinjitetin dhe inteligjencën e një populli të tërë – me non sens-in që na bën të padenjë për respektin e Zotit dhe robit të tij mendjelirë; me fshirjen nga memorja kombëtare e aktit të zhbërjes së shpirtit shqiptar të Rekës, mu përpara hundëve të shtetit Amë; me shkaqet që na bënë të mos e përfolim as ndërdhëmbshëm gjenocidin në fjalë; me lehtësinë e papërballueshme me të cilën lamë në shputat e kurkujt thesaret e kulturës shpirtërore e materiale me vjetërsi mileniumesh…, në epokën kur të tjerët skicojnë me saktësi milimetrike reliefin e fundit të oqeaneve dhe prekin kufijtë e sistemeve të tjera diellore.

Pra, t’ia lëmë këtë të shkuarës dhe ta bëjmë Rekën rastin e fundit të shndërrimit të etnisë në relikt e në kujtesë të largët.

Duke ia zgjatur dorën Rekës ne shpalojmë dhunën shekullore të ushtruar barbarisht mbi të, i themi botës dhe fqinjëve hileqarë se jemi një, ndërgjegjësohemi për të dhënën se, dje – si sot e sot – si dje, dikush na përçanë për t’na nëpërkëmbur më lehtësisht…

*

Të merremi vesh: ajo që humbëm dje nuk mund t’na kthehet kurrë si e tërë, por mjafton ta kuptojmë rrezikun e zhbërjes siç e kuptonte Josif Bageri një shekull më herët. Në kohën e tij, Ai qante shterrjen e katundeve të Rekës, kurse ne sot duhet të qajmë hallin e gjithë Shqiptarisë, sepse, në mes të trojeve tona, jemi të paaftë të pengojmë investimet e atyre që brrejnë substancën shqiptare. Ai ishte kundër ndarjeve në baza krahinore e religjioze dhe vijat ndarëse i luftonte me elementet përbashkuese: vijën e gjakut, të farës e të atdheut. Për shkak të idealeve Bageri mori shumë goditje, por nuk u mposht kurrë, as e morri inat atdheun shkaku i elementeve të huaj të infliltruar në të gjitha sferat e jetës. Ngado që shkonte thoshte: “Nëse vdes, eshtrat t’mi çoni ‘n’Sqypni, atje në Rek!”, të cilën e quante: kërthiza e Shqypnis, kurse për mercenarët shkruante: “Ju doni të ndreqni një Serbi të re në tokat e Shqipërisë së vjetër”.

Bageri i këndoi me zjarrmi të veçantë Gjuhës shqipe – gjuhës sonë natyrale, gjuhës së gjyshnis, gjuhës lindore…, atëherë kur nisi asimilimi i dhunshëm i shqiptarëve të Rekës. Me optimizmin e tij, Ai sikur parandjeu se do të vijë një ditë kur burrat e paepur të Rekës, si: Branko Manajllovski i Tanashajve, Risto Qiriazi, Branisllav Sinadinovski, Urosh Xhukovski…, do ta ringjallin kërthizën shqiptare, pavarësisht dhunës së pashembullt të shputës së huaj dhe injorancës së disa gjynahëve shqipfolës, të cilët nuk e kanë të qartë rëndësinë e kthimit të shqiptarëve ortodoksë në gjirin e nënës biologjike, jo për t’i bërë dëm dikuj, por për ta vënë në vend të drejtën e Zotit.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Exit mobile version