Site icon PORTALB

Robertson: Integrimi dhe zhvillimi i rëndësishëm për Kosovën

George Robertson

George Robertson

Lordi George Robertson, ish Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s i cili po qëndron për vizitë në Kosovë me ftesë të presidentes Jahjaga, së bashku me ambasadorin e Kosovës në Britani të Madhe, Lirim Greiçevcin sot kanë vizituar selinë e organizatës joqeveritare “The Ideas Partnership” në Fushë Kosovë, raporton Anadolu Agency (AA).

Mysafirët i ka pritur Elizabeth Gowing , themeluesja e “The Ideas Partnership”, organizatës joqeveritare, jopolitike dhe jo fetare të themeluar në vitin 2009, me qëllim që të punojë në përmirësimin e edukimit dhe arsimit, ruajtjen e ambientit dhe trashëgimisë kulturore përmes projekteve për përkrahjen e komuniteteve në Kosovë.

Në fillim të prezantimit, Gowing rrëfeu se gjatë 7 viteve të ekzistimit, kjo organizatë ka realizuar projekte të shumta në mbarë Kosovën, por me theks të veçantë në komunën e Fushë Kosovës, ku punon shumë me pjesëtarët e komunitetit rom, ashkali e egjiptian (RAE), për çka edhe është shpërblyer nga Bashkimi Evropian me Çmimin Vjetor për Integrimin e komunitetit rom në shoqëri.

Lordi Robertson u shpreh se ka ardhur për të vizituar punën e cila po bëhet në këtë projekt dhe e vlerësoi si të shkëlqyeshëm. Ai tha se integrimi dhe zhvillimi i komuniteteve pakicë është shumë i rëndësishëm për ndërtimin e demokracisë në Kosovë.

“Sllobodan Milosheviqi ka tentuar ta bëjë Kosovën një etnike, ndërsa bashkësia ndërkombëtare dhe NATO e kanë ndalur dhe Kosovën e kanë bërë shtet shumë etnik. Njerëzit e këtij komuniteti janë pjesë e Kosovës së re”, ka thënë lordi Robertson.

Ambasadori i Kosovës në Britani të Madhe, Lirim Greiçevci e konsideron si shumë të rëndësishëm faktin që, gjatë vizitës së tij në Kosovë, lordi Robertson ka takuar edhe pjesëtarët e komuniteteve pakicë.

“Ky është një vend hsumë inspirues, ku organizata ‘The Ideas Partnership’ ka bërë një punë të shkëlqyer në integrimin dhe shkollimin e fëmijëve të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian, prandaj edhe unë kam dashur që ai të shoh nga afër këtë, por edhe ju të përçoni mesazhin tek të tjerët se kujdesi për pakicat është një vlerë evropiane dhe e cila duhet të përqafohet nga të gjithë”, tha ambasadori.

Menaxheri i organizatës, Jashar Gashi, pjesëtar i komunitetit ashkali, ka përmendur faktin se pjesëtarët e komunitetit RAE përbëjnë 13 përqind të popullatës në komunën e Fushë Kosovës.

“Kemi filluar me çerdhe vitin e kaluar, që është hera e parë që hapet një çerdhe gratis për këtë komunitet. Ka kapacitet për 80 fëmijë, mirëpo për momentin këtu janë 60”, ka thënë Gashi.

Ai theksoi se, para katër muajve, paralelisht me qëndrimin e fëmijëve në çerdhe, The Ideas Partnership ka filluar edhe organizimin e kurseve për mësimin e shkrim- leximit për nënat analfabete, në mënyrë që kur të vije koha që këta fëmijë të nisen në shkollë, ata të kenë përkrahjen edhe në shtëpi, nga nënat e tyre.

Ai shpjegon se organizata ka shumë projekte, në shumë fusha. Ndër to, më i rëndësishmi është projekti për edukimin dhe arsimimin e fëmijëve, më saktësisht, ata organizojnë tre herë në javë mësimin intensiv për fëmijët që nuk shkojnë në shkollë. Aktualisht, Gowing tregon se 53 fëmijë vijnë për të mësuar në këto kurse, ndërsa ligjërimin e bëjnë vullnetarët.

Po ashtu, ajo e veçon edhe kursin që e mbajnë mamitë profesionale për dhënien e këshillave për gratë shtatzëne nga komuniteti RAE, me ç’rast edhe u jepen vitaminat e nevojshme, transporti gjatë kohës së lindjes dhe në fund, foshnajt priten me pako me gjësendet e nevojshme për fëmijët e porsalindur
Kur është fjala për financimin e projekteve, themeluesja e kësaj organizate joqeveritare, Elizabeth Gowing thekson se “The Ideas Partnership” është specifike.

“Një çerek e financave tona vjen nga donatorët privat. Shumica prej tyre janë britanik, por kemi edhe kosovarë dhe të huaj të tjerë që e financojnë. Ky është një çerek i financimit . Gjithashtu kemi grante, gjithmonë jemi duke lypur grante.

Për momentin kemi nga ambasadat finlandeze, britanike dhe fondi H. STEPI. CHARITY që është një organizatë përbrenda Raiffeisen Bank International” thotë Gowing dhe shton se institucionet kosovare nuk e kanë përkrahur financiarisht këtë organizatë, porse ekziston bashkëpunimi me Ministrinë e Arsimit.

Në përgjithësi, gjatë viteve sa i ka shërbyer komunitetit, The Ideas Partnership ka regjistruar në shkollë mbi 200 fëmijë të komunitetit RAE, ka ndihmuar vaksinimin e afro 100 fëmijëve, ka siguruar veshmbathje për 230 familje me mbi 1500 individë dhe ka organizuar aktivitete kulturore shtesë për fëmijët të cilët, çdo të shtunë, marrin pjesë në orë të vallëzimit, dramës apo artit figurativ.

Po ashtu, një prej aktiviteteve është edhe ndihma fëmijëve me nevoja të veçanta, duke i dërguar ata së bashku me nënat e tyre në sesionet e fizioterapisë, çdo javë.

Përndryshe, The Ideas Partnership përmes nismave mikrofinanciare ka ndihmuar edhe në themelimin e bizneseve të vogla nga ana e grave të komunitetit RAE, siç është prodhimi me punëdore i çantave, sapunëve nga vaji i ullirit, qirinjve, shandanëve dhe bizhuterisë.

Me prodhimin dhe shitjen e këtyre produkteve, gratë e komunitetit RAE kanë përkrahur regjistrimin në shkollë të fëmijëve të tyre dhe buxhetin familjar

Exit mobile version