Site icon PORTALB

Nxitimi i Gruevskit dhe Ahmetit

Bujar Plloshtani

Bujar Plloshtani

Nxitimi i Gruevskit dhe Ahmetit për ta shpërbërë Parlamentin pa pëlqimin e opozitës ishte një akt qyqar i këtij pushteti! Ky nxitim i tyre pa u konsultuar për një datë solide për zgjedhjet ishte një lojë e kurdisur, me të vetmin qëllim për ta vënë opozitën në gjendje të palakmueshme për zgjedhjet e 24 prillit, dhe ndërkohë që vetë pushteti të kryesojë në triumf përballë kësaj situatë dhe ashtu të tendosur. Por, nxitimi në kësi rastesh nuk menjanon problemin e ngërçit politik, ndërkaq, duhet kuptuar mirë se VMRO-DPMNE dhe BDI pa pastrimin e listës zgjedhore dhe pa lirinë e mediave nuk do të ketë zgjedhje me 24 prill, pasi kjo situatë nuk do të kontribuojë në stabilitetin e vendit! Shkuarja në zgjedhje vetëm me VMRO-DPME dhe BDI nuk do të sjellë asnjë efekt në zgjidhjen e krizës politike, por vetëm se do të jetë tentim për t’u thelluar ende më tepër!

Kur krizat thellohen në shtet, atëherë, realisht vendit i nevojitet rotacioni politik si zgjidhje e mundshme. Në një vend që nuk ka rotacion politik prej kohësh ka gjasa të ndodhin implikime të padëshirueshme me pushtetin, pasi jetëgjatësia në pushtet të frustron bindjet si politikan. Rotacioni politik në parim duhet të jetë një çështje e mirë dhe se ajo duhet të përcaktohet nga populli me zgjedhje të lira, fer dhe demokratike. Përmes rotacionit politik mund të vihet shumë më lehtë te zgjidhja e çështjeve, pasi qytetari përmes vetëdijës së ngritur kolektive bën ndryshimin me votë të lirë. Sidomos, në vendet me demokraci të brishtë, ku pushteti është mjaftueshëm në pushtet ka nevojë për rotacion politik. Pra, rotacioni politik sjell ndryshimin e pushtetit dhe përmes ndryshimit më lehtë mund të arrihet deri te ndryshimi në shoqëri.

Exit mobile version