Site icon PORTALB

A mund të lavdërohet Ali Ahmeti me Skëndërbeun?!

Dionis Xhafa

Dionis Xhafa

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti ka kujtuar dje datën e lindjes të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skëndërbeu.
“Një popull vlerësohet jo për nga ajo se sa figura historike ka në gjirin e vet, por për nga mënyra se si i kujton dhe trajton ato. Pa dyshim, Gjegj Kastrioti Skënderbeu zë vendin më të merituar ndër figurat tona më të rëndësishme kombëtare dhe ne e përkutjojmë kryetrimin tonë sërish sot, në përvjetorin e 548 të vdekjes së tij.Lavdi”, ka shkruar Ahmeti.
 
Siç duket në fjalinë e parë të tij, ku thotë se nuk ka shumë rëndësi sa figura historike një popull ka në gjirin e vet, Ahmeti e ul historinë e shqiptarëve. Sipas tij, shqiptarët nuk kanë kaq shumë figura të rëndësishme historike. Dhe për më tepër më tragjike bëhet kjo, sepse Ahmeti kërkon të justifikojë faktin se në Shkup veç një statujë e vogël e Skëndërbeut gjendet përballë një morie të pafundme statujash sllave ose më saktë që nuk iu dihet origjina, por që janë bërë “maqedonas” nga pushteti i VMRO-së, me patericën BDI.
 
Ali Ahmeti duhet ta dijë, ta thotë e të jetë i vetëdijshëm praktikisht se shqiptarët dhe sllavët në çështje historike janë dy etni që në Maqedoni po kërkojnë të imponojnë të kundërtën e asaj që realisht janë. Shqiptarët të cilët kanë histori dhe që janë autokton në fakt trajtohen si të ardhur, steriotipizohen, deri në skandale si ai që janë “maqedonas të islamizuar”.
 
Ali Ahmeti duhet ta dijë se “maqedonasit” nga ana tjetër nuk dihet nëse janë maqedonas, sllavë, bullgarë apo ndonjë etni tjetër. Por se edhe pse nuk kanë identitet të qartë, ata në Shkup kanë mundur të lartësojnë si në filmat e “Disney” figura historike dhe politike që as që iu përkasin maqedonasve.
 
Nga ana tjetër, Skëndërbeu është i vetmi hero shqiptar që e ka një bust në Shkup, përpos edhe Hasan Prishtinës, pasi të gjitha statujat e tjera janë turpi i gatuar në kuzhinën politike VMRO-BDI, që lartëson pa problem deformimin dhe skandalizimin e historisë së Maqedonisë.
 
Po ashtu, edhe Maqedonia sot ngjan më tepër një shtet artificial, që do të citoja një boshnjak në Shkup , i cili thoshte se Maqedonia sot ngjan si Jugosllavia dikur. E ndërtuar mbi falsitetin e paqes mes dy etnive krejt të kundërta në gjuhë, kulturë dhe zakone, Maqedonia ngjan krejt artificiale dhe do të mbetet gjithnjë problematike në Ballkan dhe më gjërë.
 
Statusi i Ali Ahmetit flet për faktin e rëndë se kreu i partisë shqiptare në pushtet është në fakt nën sqetullat e VMRO-së së Gruevskit, i cili ka vendosur edhe një kukull derisa të rivijë sërish në postin e kryeministrit dhe të vijojë sërish nacionalizmin maqedon, përgjimet, skandalet etj.
 
Ali Ahmeti sot është krejtësisht i kapur nga politika sllave dhe ka tradhëtuar interesin e shqiptarëve të thjeshtë të Maqedonisë, që nuk shohin shpresë në vendin e tyre.
 
Ali Ahmeti i ka lënë shqiptarët në një gjendje katastrofike dhe shumë pak të përfaqësuar në administratën publike, me numra që gajasesh kur i përmend.
 
Ali Ahmeti vijon kursin antishqiptar, duke u hequr sikur po shkon drejt Evropës, por se në fakt Maqedonia realisht udhëhiqet nga VMRO, e cila vetëm drejt Evropës që nuk po e çon vendin.
 
Ali Ahmeti përpiqet ta përdorë mitin dhe figurën e Skëndërbeut për të hequr si nacionalist, sikur i do shqiptarët, por e vërteta e dhimshme është se shqiptrarët në Maqedoni gjenden në kushte katastrofike.
Ali Ahmeti poashtu ka kaq shumë vite në pushtet duke mos hapur rrugë për një parti apo lëvizje të re, duke i vënë vulën në kaq vjet një politike pro-sllave dhe anti-shqiptare.
 
Sëfundmi, po citoj një koment të një qytetari në statusin e Ali Ahmetit. “Sikur të ishte gjallë Skëndërbeu, do lemerisej nga gjendja ku janë shqiptarët e Maqedonisë sot”.  
Exit mobile version