Site icon PORTALB

Ivanov: Liderët të tregojnë përgjegjësi para qytetarëve

Gjorge Ivanov

Gjorge Ivanov, presidenti i Maqedonisë

Presidenti Gjorge Ivanov, përmes një komunikate, u ka bërë thirrje katër liderëve të partive kryesore që të gjejnë mënyrën dhe t’i japin fund krizës politike në vend.

Ivanov kërkon që liderët të tregojnë përgjegjësi para qytetarëve, interesave të shtetit dhe t’i japin fund krizës politike e cila sipas tij po e rëndon tej mase shtetin.

“Është momenti i fundit, pa shtyrje të mëtejshme, i zbatimit të Marrëveshjes së Përzhinës. Palët nuk mund t’iu shmangen detyrimeve që dalin nga marrëveshja, duke e vënë kështu në pikëpyetje të ardhmen evropiane dhe perspektivën euroatlantike e Maqedonisë. Maqedonia, rajoni ynë dhe Evropa po ballafaqohen me sfida serioze. Ajo që më së paku kemi nevojë, është thellimi i krizës politike”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Në njoftim theksohet gjithashtu se qytetarët u kanë dhënë besimin partive politike, jo për të qenë peng i interesave të tyre dhe peng i bllokimeve politike, por për shkak se presin që partitë politike të punojnë me ndërgjegje në interes të shtetit.

Në komunikatën për media të presidentit Ivanov thuhet se qytetarët e Maqedonisë presin nga partitë rezultate, zgjidhje të besueshme dhe dhënien fund të krizës politike.

Presidenti Ivanov shpreh falënderim për angazhimin e përgjithshëm të bashkësisë ndërkombëtare, posaçërisht të eurokomisarit Johanes Han me qëllim të zbatimit të marrëveshjes politike, dhe e përshëndet gatishmërinë e BE-së për sigurimin e përkrahjes së tërësishme dhe garantimin e zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

“Qytetarët e Republikës së Maqedonisë ua dhanë besimin partive politike, jo që të jenë peng të interesave të tyre dhe peng të bllokadave politike, por për shkak se presin që partitë me vetëdije të punojnë në interes të shtetit. Qytetarët e Republikës së Maqedonisë presin rezultate, zgjidhje të qëndrueshme dhe fund të kësaj krize politike”, tha presidenti Ivanov në deklaratë me shkrim.

Exit mobile version