Site icon PORTALB

Prezumimi i pafajsisë është i shenjtë

[Recension “Mega skandal, një pjesë e madhe e materialeve të përgjuara të Zaevit gjenden në fabrikën e aferave]

Ndonëse i gjithë ky tekst është përplot me mangësi që nuk duhet të gjejnë vend në një lajm të shkruar nga gazetar profesionist, ajo që më së shumti bie në sy është shkelja e prezumimit të pafajësisë. Autori i këtij teksti ia ka lejuar vetes që të bëhet gjykatës duke publikuar fotografi dhe profilin e fejsbukut të një personi që dyshohet të ketë marrë pjesë në falsikimin e dokumenteve të ndryshme dhe letërnjoftimeve që janë shfrytëzuar për manipulime zgjedhore. Nga muhabetet e çajtoreve ndoshta mund të dihet se ky person ka marrë pjesë në falsifikim por kjo gjë nuk i takon gazetarit për ta thënë, vetëm në raste kur ka fakte të pakontestueshme. Po të arrestohej ky person dhe emrin e tij po ta publikonte vetë policia siç ka bërë në shumë raste, gazetarët nuk duhet të shkelin këtë të drejtë ligjore. Për më tepër shkelja e kësaj të drejte, e nxin edhe imazhin e gazetarit nëse ai zotohet si profesionist.

Linku për te artikulli origjinal: “Mega skandal, një pjesë e madhe e materialeve të përgjuara të Zaevit gjenden në fabrikën e aferave”

 Data dhe koha e publikimit: 16.12.2015

Data e recensionit: 21.12.2015

Recensuese: Ferikan Iljazi

Gjithë teksti është përpiluar në bazë të një burimi anonim brenda hetimit për skandalin me letërnjoftimet e falsifikuara gjë që është legjitime pasi që gazetari ka të drejtë ta mbrojë burimin e vetë. Por ajo që pengon është fakti se gazetari në disa momente shfrytëzon burimin anonim për të futur aty-këtu disa komente personale. Si për shembull ky paragraf në vazhdim:

“Dorëzimi i materialeve joligjore tek Zahir Bekiri sipas njohësit të rrethanave publikisht bëhen të qarta qëllimet e Zaevit. Përmes mediave nga jashtë që të fillojë plasimi i bisedave private. Qëllimi i tij duket të jetë shtyrja e zgjedhjeve për shkak të rejtingut të dobët që ka. Pres 24 informon se Zaev personalisht ka udhëtuar në Serbi ndërsa kontakt me Bozinovskin ka pasur edhe Sasha Bogdanovic, drejtor i parkingjeve në komunën Qendër.”

Këto dy fjali nuk është e qartë nëse janë informata të gazetarit apo të burimit anonim. Edhe po të kishin qenë qëndrime të gazetarit  por të mbuluara me prova konkrete mund të jepej konstatim i tillë, por pa prova nuk guxon të jepen kualifikime të tilla.

Në shprehje vjen përsëri përdorimi i gjeneralizimit dhe analistëve pa emër. Për të amnistuar veten, gazetari përdor gjoja qëndrim të njohësve të rrethanave politike. Pasojnë edhe disa konstatime personale në stilin e mediave pro qeveritare maqedonase, që nuk i kanë hije një lajmi të kësaj natyre.

Të rikujtojmë përsëri prezumimin e pafajësisë i cili duhet të përsëritet çdo ditë. Kjo pasi që me shkeljen e prezumimit të pafajësisë pa dashje mund të shkaktojmë dëme shumë të mëdha mbi jetat e njerëzve. Në nenin 13 të Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë qartë bëhet e ditur se “Personi i akuzuar për vepër penale do të konsiderohet si i pafajshëm derisa faji i tij nuk përcaktohet me aktgjykim të plotfuqishëm gjyqësor.” Po e njëjta dispozitë parashihet edhe me Ligjin për Procedurë Penale.

Exit mobile version