Site icon PORTALB

Mustafa: Të eliminohen problemet e bizneseve me rrymën

Isa Mustafa

Kryeministri  Isa Mustafa, ka pritur në takim George Karagutoff, drejtor i Kompanisë Kosovare për Distribuim dhe Furnizim me Energji Elektrike (KEDS) dhe Enver Halimin, kryesues i bordit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), ku janë trajtuar problemet e ngritura nga bizneset kosovare që kanë të bëjnë me aspektet operacionale e teknike të KEDS-it dhe çështjet e tarifave që ndërlidhen me ZRRE-në.

Gjatë takimit, Mustafa, theksoi shqetësimet reale dhe vështirësitë me të cilat po përballen bizneset që lidhen me problemet me energjinë elektrike, kryesisht rreth instalimeve të reja që ndërmerren nga vet bizneset dhe tarifat për kyçje në energji elektrike.

Në takim, shefi i Qeverisë ishte i shoqëruar nga ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci.

Gjatë takimit, u theksua edhe vërejtja e vazhdueshme e bizneseve lidhur me sistemin tarifor në vend, ku bizneset paguajnë tarifa të ndryshme për energjinë e njëjtë të konsumuar gjatë gjithë vitit.

Ndërkaq, përfaqësuesit e KEDS-it shprehën qëndrimin e tyre se disa nga vërejtjet e mëparshme të bizneseve janë adresuar, por se mbetet në përgjegjësi të rregullatorit që të adresoj çështjet tarifore, maxigrafin dhe të ngjashme, transmeton Klan Kosova.

Exit mobile version