Site icon PORTALB

Opinionet personale të gazetarit nuk futen në lajm

[Recension: “Ambasadorët e BDI-së, dy vite bredhin botës pa letra akredituese”]

Një temë e qëlluar që mori hov të përshpejtuar dhe ra në humnerë. Kështu do e kisha cilësuar këtë lajm i cili ka ngritur shqetësimin për mos akreditimin e ambasadorëve shqiptar të Maqedonisë nëpër botë. Edhe pse shqetësimi për këtë fakt ngrihet tek në fund, megjithatë është një temë mjaftë shqetësuese që meriton trajtimin e vazhdueshëm nëpër media. Autori ndoshta ka pasur qëllim të mirë teksa e ka shkruar këtë tekst por ka shkelur disa rregulla jetike në gazetari. Nuk ka kontaktuar të gjitha palët e përfshira, nuk është përmbajtur nga komentet personale, dhe nuk ka dhënë prova konkrete mbi pohimet e tijë. Për më tepër, nëse e shikojmë nga aspekti teknik, nuk ka as rregullin e piramidës së përmbysur që mësohet në ditët e para të edukimit për këtë fushë.

Linku për te artikulli origjinal: Ambasadorët e BDI-së, dy vite bredhin botës pa letra akredituese

Data dhe koha e publikimit: 16.12.2015

Data e recensionit: 21.12.2015

Recensuese: Ferikan Iljazi

Portali “Almakos” ka trasmetuar një lajm  që pjesësisht apo ndoshta edhe tërësisht është marrë nga “Fakte.net” e që kritikon politikat e BDI-së. Kritikohen dështimet në sigurimin e mirëqenies dhe të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Por autori ka harruar se shkruan në vetën e parë. Çdo shkronjë që e ka transmetuar merret si mendim i tij; ka dhënë qëndrimin e tijë personal në vend se këtë temë ta trajtojë në forma tjera.
Pa diskutim që një medie duhet të kritikojë pushtetin, kjo gjë është roli i saj, por kjo bëhet brenda standardeve gazetareske që parashikohen edhe me Kodin e Gazetarëve të Maqedonisë. Dhe nga rregullat e para është se opinonet personale nuk futen në një lajm.

“Loja që po luan partia shqiptare në pushtet BDI në fushën e politikës së jashtme po merr karakter satirik.Fakte kishte raportuar edhe për dështimin e politikës së integrimit të vendit në NATO dhe BE, oferta e vetme e partisë së Ahmetit ndaj elektoratit shqiptar pas dështimit total të politikave tjera të të drejtave etnike, ekonomike, sociale etj. Për opinionin është e njohur edhe thënia e famshme e Ahmetit për “fluturaken” që po na çonte në Bruksel”

Gazetari në tekst bëhet “analist për gjithçka” dhe kjo e rrëzon besueshmërinë edhe pse tekti ka pjesë që nuk që nuk mund të kontestohet. Se ambasadorët shqiptar’ë janë pa asnjë angazhim për shkak të këtij bllokimi të presidentit Ivanov vetëm pse janë shqiptarë të propozuar nga një parti e cila e nuk e pranon legjitimitetin e tij.

“Në fakt, arsyeja kryesore e inateve të BDI-së duket se fshihet diku tjetër. Për shkaqe të pazareve politike tanimë dy vite ambasadorët e Republikës së Maqedonisë nëpër botë, bredhin pa asnjë kompetencë. Vendi ynë është rasti i vetëm në botë ku një numër i caktuar i ambasadorëve edhepse kanë kaluar të gjitha procedurat ligjore, në MPJ, Qeveri,.. vazhdojnë të jenë pa letra akreditive nga Presidenti i vendit. Vetëm pse janë shqiptarë, të propozuar nga BDI”

Më tej, teksti është i mbushur me fakte të tjera që ndoshta do duhej të ishin më të kompletuara, por megjithatë edhe kështu si qëndrojnë duke përshkuar angazhimin ose “mosangazhimin” e ambasadorëve shqiptarë japin një pasqyrë të drejtë mbi gjendjen faktike. Por ajo që vret syrin është komentimi i  gazetarit. Qëndrmet e tij nuk duhet ta reflektojnë në tekstet e tij. Në vendet e tjera të botës ka media që në mënyrë të hapur deklarohen për orientimin e tyre partiak, por edhe në raste të tilla duhet ruajtur balanci dhe rregullat bazike gjatë raportimit. Vetë qytetari vendos se cilin medie do ta ndjek dhe si do të perceptojë ngjarjet.

Megjithatë gazetari asnjëherë nuk duhet të harrojë se cilat interesa duhet t’i përfaqësojë. I vetmi interes që në asnjë moment nuk duhet lënë në rend të dytë është interesi i publikut e jo partisë, cilado qoftë ajo.

Roli i gazetarëve në bazë të Kodeksit të Gazetarëve të Maqedonisë është “Shpërndarja e informatave, ideve dhe mendimeve dhe e drejta për të komentuar. Duke respektuar vlerat etike dhe standardet profesionale në transmetimin e informatave, gazetarët duhet të jenë të ndershëm, objektivë dhe të saktë”. Prej këtu mund të përfundojmë se ky tekst ka mundur të përpilohet ndryshe dhe të merr një rol krejtësisht tjetër të informimit. Me rrespektimin e elementeve parësore të gazetarisë profesionale, ky tekst do kishte mundur të ngrejë edhe reagime në opinion e ndoshta pse jo edhe akreditimin e ambasadorëve shqiptar pas presionit mediatik.

Exit mobile version