FSHF arrin marrëveshje me De Biasin, rritet rroga e trajnerit

Dje është zhvilluar mbledhja e radhës e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, e para për vitin 2016. Tema kryesore e saj ka qenë kontrata e trajnerit të kombëtares, Xhani De Biazi. Ky i fundit, sipas burimeve të sigurta nga ekzekutivi i futbollit shqiptar, ka këmbëngulur fort, që prej ditës së kualifikimit të kuqezinjve në “Euro 2016” për të pasur rritje të rrogës. Këtë kërkesë ia ka përsëritur herë pas here presidentit Armand Duka, që të vijojë bashkëpunimi.

Presidenti i FSHF-së ka kërkuar edhe mendimin e anëtarëve të KE-së, edhe pse e ka tagër të vetin marrëveshjen me trajnerin e kombëtares, qoftë për emërimin dhe shkarkimin, qoftë për termat financiare të kontratës. Ka pasur anëtarë, që kanë kërkuar vazhdimin e kontratës aktuale, e cila me kualifikimin në Europian është rinovuar automatikisht. Natyrisht, ekziston mendimi se De Biazi po përfiton nga rasti, duke marrë të gjitha meritat mbi vete, edhe pse në FSHF thonë se ka shumë faktorë për suksesin e kombëtares, çka trajneri italian e di fare mirë…

Sidoqoftë, në mbledhjen e djeshme ka mbizotëruar ideja për të ruajtur këtë frymë pozitive në kombëtare, të paktën deri në finalet e “Euro 2016”. Kjo do të thotë se është marrë në konsideratë kërkesa e 59-vjeçarit nga Sarmede, për t’iu rritur rroga në masën 60 për qind. Pra, shtesa në pagesën aktuale mujore, që merr De Biazi, do të jetë 60 për qind më shumë nga janari e në vazhdim. Me shifra të sakta nuk mund të flitet dot, pasi termat financiare të kontratës, asaj të deridjeshme, ruhen me fanatizëm nga FSHF-ja.

Komiteti Ekzekutiv ka qenë i një mendjeje, po ashtu, që pas kësaj rritjeje, nëse De Biazi hedh të tjera “vickla”, apo kërkon largimin (në mbledhjen e djeshme është folur për ofertën kineze, që i ka ardhur trajnerit të kombëtares), të lihet i lirë. Kuptohet, kjo gjë vlen më shumë pas finaleve të “Euro 2016”, sepse deri aty është i sigurtë dhe do të kapërdihet sido të vijnë punët nga FSHF-ja bashkëpunimi. Kjo nuk vihet në diskutim as nga De Biazi, sidomos pas kësaj rritjeje të rrogës. Në kontratë ka një klauzolë, që thotë se në rast të prishjes së njëanshme të marrëveshjes, dëmshpërblimi është 100 mijë euro.

Trajnerit kuqezi i është garantuar mbështetje maksimale në këtë periudhë, kur do të bëhen përgatitjet për fazën finale të Europianit, por ka pasur anëtarë të Komitetit Ekzekutiv që kanë ngritur shqetësimin e një angazhimi tjetër të mundshëm të De Biazit, si shkes i transferimeve të lojtarëve kuqezinj. Kjo gjë është përshëndetur, nëse bëhet për sistemimin e lojtarëve të kombëtares në klube të ndryshme, por duhet ndaluar nëse kalon caqet dhe kthehet në menaxhim të mirëfilltë. Jo aq për ndonjë përfitim të trajnerit, se sa për interferim në përzgjedhjen e lojtarëve në kombëtare.

Shqetësimi ka qenë i këtij lloji: Lojtarët, edhe ata që De Biazi ka sugjeruar për klube të ndryshme, duhet të jenë në listën e 23 të federuarve në UEFA për Kampionatin europian të kësaj vere në bazë të meritës, të paraqitjes në skuadrat ku luajnë, jo prej gjërave dhe afiniteteve të tjera. Në këtë pikë është sugjeruar që roli i drejtoreit teknik në kombëtare, ai që funksionon mes trajnerit dhe presidentit, të jetë më vendimmarrës në rastet kur mendohet se i hahet haku dikujt në kurriz të një tjetri.

Burimi brenda Komitetit Ekzekutiv tha për “Telesport.al” se ka pasur presion dhe lojëra nga ana e De Biazit për të përfituar domosdo rritje të pagës. Thënë ndryshe, FSHF-ja është dorëzuar më në fund para kërkesave të tij financiare, të paktën deri në finalet e “Euro 2016”. Më pas, ka gjasa që topi të ndërrojë fushë…

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button