Site icon PORTALB

JAM SHQIPTAR!

Fatmir Sulejmani

Fatmir Sulejmani

Më në fund ndodhi e pabesueshmja: doli në shesh mashtrimi shekullor mbi përkatësinë etnike të Shqiptarëve ortodoksë të Rekës së Epërme – u thye miti mbi Rekën maqedonase, mbi thesarin e një trashëgimie materiale e shpirtërore, të përvetësuar kubarisht nga pushtetet dhe pushtetarët e ligj, që, mjerisht, lanë prapa vetes pinjollë të mbarsur me urrejtje patologjike ndaj gjithçkaje që pipëtin shqip.

E dini: Reka e Epërme, që si krahinë shtrihet në të dy anët e Radikës, midis kurorave malore të Korabit e Deshatit, ka qenë përherë kërthiza e Shqiptarëve ortodoksë, të cilët gjer vonë e kanë ndier veten si pjesë të tërësisë së kombit. Por, lënia pas dore e Rekës dhe asimilimi i sistematik i shqiptarëve në sllavë, i filluar nga Jugosllavia e Versajit dhe gati e finalizuar nga Maqedonia socialiste si pjesë e Jugosllavisë së Avnojit, e ka shkretuar rajonin dhe i ka shprazur gati në tërësi fshatrat e banuar me popullatë shqiptare të krishterë dhe muslimane, si: Zhirovnica, Grekaj, Vërbeni, Vërbjani, Tanusha, Rimnica, Nivishta, Zhuzhnja, Shtirovica, Reçi, Strezimiri, Brodeci, Niçpuri, Bogdeva, Krakornica, Dubova, Vollkovia, Senca, Tërnica, Mavrova, Nikifori, Kiçinica, Beliçica, Lemnova, Brezovica, Çajani, Dufi…

E veçanta e asimilimit të shqiptarëve ortodoksë të Rekës është heshtja mortore që e ka shoqëruar procesin e kovertimit të pashembullt etnik të dhjetëra mijëra njerëzve – indiferenca e shqiptarëve të besimit ortodoks, që u asimiluan pabëzajtur dhe indiferenca e shqiptarëve të besimit musliman, që nuk e panë gjëmën e vëllezërve të gjuhës e të gjakut. Ndaj, aq sa flet kjo vaki për perfiditetin dhe metodat e sofistikuara të asimilimit në fjalë, po aq ndriçon ndërgjegjen tonë kolektive dhe gatishmërinë për t’u shkrirë n’asgjë me lehtësi të papërballueshme, pa një zë të fuqishëm protestues, pa asnjë alarm serioz në mediet brenda a jashtë kësaj shkretishteje, pa asnjë rebelim promoteu, të gatshëm t’ia dhurojë popullit zjarrin, ta vetëdijësojë atë se është duke jetuar stinën e ligë që e shfytyroi përsijeta.

Me dhembje them “përsijeta”, sepse është iluzion të pritet kthimi i sërishëm në origjinë i rreth 100.000 frymëve, aq sa pohojnë se janë vetë shqiptarët ortodoksë të Rekës. Gjërat kanë shkuar tepër larg për të qenë optimist me tamam rreth kësaj çëshshtjeje, megjithatë shpresa nuk ka tretur me fund, sepse po shtohet numri i atyre që po dalin nga guaska e “shkretëve” dhe po e mundin frikën me klithmën: JAM SHQIPTAR!

Kështu, udha e nisur para disa vitesh nga shqiptaro-amerikani i urtë Branko Manajllovski dhe e vazhduar më pas prej shqiptarëve të tjerë ortodoksë me prejardhje nga Reka e rilindësit Josif Bageri, u kurorëzua para disa ditësh me pranimin e Bashkësisë së shqiptarëve ortodoksë të Maqedonisë si komunitet i mëvetësishëm fetar, i barabartë para ligjit me komunitetet tjera.

S’do mend se kjo është arritje e madhe, që mëton ta vë në vendin e vet një të vërtetë të zhvendosur historike, e cila shqiptarëve të besimit ortodoks do t’ua kthejë domosdoshmërisht tapitë mbi kishat dhe manastiret e tyre dhe të drejtën për t’iu lutur Zotit në Gjuhën mjaltë të Nënës.

Natyrisht, kjo ka shqetësuar qarqet e indoktrinuara pashërueshëm me shqipatarofobi, ku bëjnë pjesë dhe mashat e tyre shqipfolëse, që fatmirësisht nuk kanë mandat dhe autoritet të përfaqësojnë asgjë më shumë se mjerimin e tyre.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Exit mobile version