Site icon PORTALB

Barack Obama propozon masa për kontrollin e armëve

Barack Obama

Presidenti amerikan Barak Obama bëri të ditur disa masa, që ai i quajti “praktike” dhe që synojnë të frenojnë dhunën me armë zjarri.  Masat e shpallura nga presidenti anashkalojnë Kongresin, për një çështje tepër polemike.

Presidenti Obama i shpalli masat e reja  gjatë një fjalimi të martën në Shtëpinë e Bardhë, transmeton VOA.

Ai njoftoi se nisma e re parashikon zgjerimin e kontrolleve për të kaluarën e atyre që blejnë armë, zbatimin më të efektshëm të ligjeve mbi armëmbajtjen, shtimin e masave për shëndetin mendor dhe zgjerimin e studimeve në teknologjinë e sigurisë së armëve.

Çdo vit, tha presidenti, më shumë se 30 mijë njerëz vriten nga armët në Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë vrasje në masë dhe vetëvrasje, shumë më tepër se në vende të tjera të zhvilluara të botës.

Presidenti tha se nuk qëndrojnë kritikat që i janë bërë, se me planin e ri, ai po kufizon të drejtën kushtetuese që lejon mbajtjen e armëve, duke thënë se “ky nuk është një komplot për t’u marrë njerëzve armët”.

Republikanët, të cilët në përgjithësi kundërshtojnë masat për kontrollin e armëve, kanë reaguar me zemërim ndaj propozimeve të presidentit duke thënë se ato janë përtej autoritetit të tij.

Shumë kandidatë republikanë për president kanë thënë tashmë se do t’i shfuqizojnë këto rregulla, nëse do të zgjidhen president.

Exit mobile version