Site icon PORTALB

Me këmbë të djathtë në vitin 2016

Florim Zeqa

Florim Zeqa

Nëse me të vërtetë, të gjithë e dëshirojmë ndryshimin në vendin tonë ashtu siç deklarohemi, atëherë menjëherë duhet t’i përvjelim mëngët, t’ia fillojmë punës nga ditët e para të këtij viti, të mos presim kot nga “babadimrat” ndërkombëtarë. Emërues i përbashkët i të gjitha urimeve të vitit të ri, ishte për një fillimi të mbarë në 2016-n, me shëndet, mbarësi, begati, mirëqenie, suksese, etj. Edhe kësaj radhe, urimet e liderëve shtetërorë, të mbuluara plot hipokrizi në prag të vitit të ri, më tepër u ngjanin përrallave për dhuratat e Babadimrit. Gjakftohtësia, buzëqeshja artificiale dhe luku kozmetik (frizurat) me dekorin përreth (me flamuj lara-lara, pa flamuj kombëtarë), janë pasqyra më reale e gjendjes së tyre shpirtërore dhe katandisjes shtetërore të Kosovës.
Nuk është befasi paraqitja e liderëve analfabetë të cilëve zanorja “ë” iu bëhet “Y”, por befasi është paraqitja e padenjë për një personalitet pak më të ngritur intelektualisht, në postin e kryeministrit, i cili vazhdoi me avazin e vjetër të hipokrizisë politike, se gjoja për një vit të qeverisjes së tij janë arritur suksese të mëdha, pa e veçuar asnjë sukses të vetëm sa i përket rritjes ekonomike dhe mirëqenies së qytetarëve të vendit.
Loja me karta të djegura
Kësaj radhe premtimet e liderëve shtetërorë në prag të ndërrimit të moteve ishin të përqendruara në “kartën” e djegur të liberalizimit të vizave, “luftimin” e korrupsionit, “zhvillimin” ekonomik dhe “mirëqenien” e qytetarëve. Këto fjalë plot hipokrizi të pushtetarëve u ngjajnë përrallave për Babadimrin inekzistent.
Një Qeveri që mendon vetëm për veten e saj, nuk mund të ketë kohë të mendojë për qytetarët e vendit, nuk mund t’ i bëjë të qeshura fytyrat e fëmijëve të familjeve të varfra, e aq më pak të pensionistëve, këtyre dy grupmoshave më të goditura të vendit tonë.
Ngase buxheti i varfërisë i kësaj Qeverie, i miratuar me numrat e shumicës në një Kuvend të improvizuar në rrethanat e një krize të rëndë politike dhe sociale në vend, jo vetëm që nuk garanton zhvillim ekonomik, nuk krijon kushte për hapje të reja të vendeve të punës, as ngritje të pagave, pensioneve, madje as të ndihmave sociale!
Isa Mustafa harron flamurin dardan
Shqetësimet e ngritura në një shkrimin timin paraprak, i vërtetoi në mënyrën më besnike vetë kryeministri Mustafa më 31 dhjetor 2015 me paraqitjen publike para medieve me rastin e urimit drejtuar qytetarëve për vitin e ri, i rrethuar me flamuj lara-lara, nuk i ngjante një njeriu që kishte dhënë “premtimin” për kthimin e flamurit dardan.
Zëvendësimi i njërit flamur lara-lara me flamurin kombëtar apo atë dardan do t’i bënte nder së pari vetës së tij, pastaj do të reflektonte shpresë dhe besim te qytetarët e vendit për një të nesërme më të mirë.
Isa Mustafa, së paku, është dashur të ndjekë shembullin e liderit paraprak të LDK-së, ish- presidentit Fatmir Sejdiu, i cili gjithmonë në Presidencë përkrahë flamurit lara-lara mbante edhe amanetin e presidentit Rugova-flamurin dardan!
Fundi i një Qeverie të korruptuar
Kjo Qeveri e korruptuar dhe e shantazhuar, me probleme zinxhirore në sistemin e drejtësisë, me ekonomi të pazhvilluar, me sovranitet të dyfishtë shtetëror, me integritet territorial të cunguar,…me liderë të papërgjegjshëm, analfabetë dhe injorantë politikë, shtetin e Kosovës është duke e dërguar me shpejtësi drejt greminës dhe errësirës së pafund.
Fillimi i ndryshimeve në skenën politike është imperativ i ngutshëm kohor,  ndërrimi i kursit qeverisës të vendit është mundësia e vetme për shpëtimin e shtetit nga katandisja e mëtutjeshme. Nëse me të vërtetë, të gjithë e dëshirojmë ndryshimin në vendin tonë ashtu siç deklarohemi, atëherë menjëherë duhet t’i përvjelim mëngët, t’ia fillojmë punës nga ditët e para të këtij viti, të mos presim kot nga “babadimrat” ndërkombëtarë.
Ta fillojmë ndryshimin secili nga vetvetja jonë, nga qasja e deritanishme (pasive), të kalojmë në kreativitet, iniciativa të shëndosha, pa paragjykuar pushtetin dhe as interesin personal.Të mos rreshtohemi pas njerëzve që luftojnë për pushtet, por pas atdhetarëve të vërtetë, aktivistëve dhe veprimtarëve që ideal kanë shtetndërtimin dhe të ardhmen prosperuese të vendit të tyre.
Fillim i Ri
Vërtet ka ardhur koha për një fillim të RI, në frymë të re politike të bazuar në atdhedashuri, barazi qytetare, respektim të rregullave dhe ligjeve shtetërore, në vlera dhe kulturë, për një bashkëpunim të shëndoshë dhe transparent me njëri-tjetrin.
Këtu nuk bëhet fjalë për ndërrim të pushtetit, siç e mendon qeveritarët dhe një pjesë e opozitës, por për ndërrim të tërësishëm  të sistemit qeverisës në vend, për kalim nga filozofia aktuale e kastës politike (që është vjedhja e shtetit dhe plaçkitja e qytetarëve) në një filozofi të re politike, ngjashëm sikurse në vitet e ’90-ta (për dhënien gjithçka nga vetja për shtetin dhe të mirën e qytetarëve të vendit).
Ky është çelësi, kjo është zgjidhja e mijërave problemeve të grumbulluara  përgjatë viteve. Andaj pa humbur kohë, secili le t’i thërrasim  ndërgjegjes sonë, t’i bashkojmë dhe bashkërendojmë  veprimet për largimin e kësaj klase të korruptuar politike, të këtyre kusarëve politikë që rropën e çrropën  gjithë pasurinë shoqërore, që e katandisën keq shtetin e krijuar me mundin dhe sakrificën e shumë gjeneratave.
Exit mobile version