Prokurorja publike speciale Katica Janeva, këtyre ditëve ka dërguar prokurorë të ekipit të saj, personalisht të hulumtojnë “bombën” lidhur me transportin falas shkollor, në komunën e Manastirit, njofton Portalb.
Sipas burimeve të “Metas” prokurorja Janeva nga disa shkolla ka kërkuar dokumente, lista dhe fatura se sa nxënës kanë përdorur transportin shkollor për vitin shkollor 2009-2010 dhe 2010-2011.
Thuhet se ajo që ka interesuar prokurorët kanë qenë të dhënat për numrin e nxënësve, për relacionet, për kilometrazhin dhe çmimet e shërbimeve
Siç pohon Dragan Stojanoviq, drejtor i shkollës së mesme teknike “Gjorgji Naumor”, disa nga prokurorët e Prokurorisë Publike Speciale kanë vizituar shkollën dhe kanë mbledhur të dhëna për transportin shkollor falas.
“Prokurorët nga Shkupi kanë kërkuar lista për numrin e nxënësve, shfrytëzuesve të transportit falas, për dy vite shkollore. Ne të gjithë dokumentet i ruajmë në arkiv dhe ua dorëzojmë. Kjo për ne është pjesë e punës, ata kanë marrë autorizim të veprojnë, e ne natyrisht që do të respektojmë ligjet dhe do të bashkëpunojmë”, thotë Stojanoviq.
Në njërën nga bisedat e përgjuara, ministri i Financave Zoran Stavrevski, thotë se marrëveshja për transportin falas në Manastir është firmosur nga kryetari i Komunës Vladimir Taleski, “është skajshmërisht i korruptuar”. /Portalb