Site icon PORTALB

SHBA-të mohojnë të kenë përgjuar autoritetet turke

Përgjimet

Përgjimet

Administrata e Obamës të premten hodhi poshtë pretendimet se spiunët amerikanë kanë përgjuar dhe monitoruar autoritetet turke. Mohimi erdhi disa orë pasi gazeta “Wall Street Journal” raportoi se SHBA-të kanë mbikëqyrur disa nga aleatët e saj të NATO-s, duke përfshirë edhe autoritetet turke, raporton Anadolu Agency (AA).

“Unë kurrë nuk kam dëgjuar pretendime të tilla”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Mark Toner.

“Unë nuk do të flas më tej se cilat mund të jenë aktivitetet e inteligjencës sonë dhe nuk jam duke folur në lidhje me Turqinë, sigurisht, por në përgjithësi, Turqia është një aleat i çmuar i NATO-s”. Si pjesë e koalicionit në luftën kundër  DAESH-it, SHBA vlerëson kontributin e Turqisë dhe pjesëmarrjen në këtë përpjekje, shprehet Toner.

Ai tha se SHBA-ja ndryshoi qëndrimin ndaj mbikëqyrjes, pasi ish-kontraktori i NSA-së, Edward Snowden, në vitin 2013, publikoi shumë operacione spiunazhi të agjencisë. Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Ned Price tha se Presidenti Barack Obama e ka udhëzuar administratën e tij që të përmbahen nga monitorimi i komunikimeve të udhëheqësve të vendeve aleate.

“Krerët e shteteve dhe qeverive me të cilët ne punojmë ngushtë, në bashkëpunimin në të cilin jemi mbështetur, duhet të ndjehen të sigurt se ne po i trajtojmë ata si partnerë të vërtetë”, iu përgjigj ai pyetjes së gazetarit të Anadolu Agency.

Snowden pati publikuar informacione se NSA me vite të tëra kishte përgjuar telefonatat e kancelares gjermane Angela Merkel, këshilltarëve të saj të afërt dhe stafit. Pas publikimit të këtyre informatave raportet mes Gjermanisë dhe SHBA-së u tensionuan dukshëm.

Exit mobile version