Hulumtim shkencor për shqiptarët e Maqedonisë: Dita-ditës po varfërohen

Në Fakultetin Juridik të Universitetit Shtetëror të Tetovës, u bë publikimi i rezultateve të studimit: “Hulumtimi shkencor për realitetin jetësor të qytetarëve shqiptarë në Republikën e Maqedonisë në periudhën 2010-2014”.

Realizuesi i këtij projekti, Bashkim Selmani tha se nëpërmjet këtij pyetësori, qëndrimet dhe mendimet e tyre i kanë shprehur rreth 300 persona, që në fakt mund të merret si numër i mirëfilltë, nëpërmjet të të cilit pasqyrohet gjendja në terren, e rolit dhe pozitës reale të qytetarëve shqiptarë në Republikën e Maqedonisë. Sipas tij, anketa është realizuar me qëllim për të parë se sa qytetarët i ndjejnë dhe i gëzojnë këto të drejta, në pesë vitet e fundit në Maqedoni.

Anketën para të pranishmëve e prezantuan studentët e Fakultetit Juridik. Sipas tyre, në pyetjen e parashtruar të anketuarve se ,,Si ndjeheni këto katër vitet e fundit në Republikën e Maqedonisë në aspektin ekonomik, politik, social, kulturor dhe në sferat e tjera të jetës?” Të anketuarit kanë dhënë mendime të ndryshme për sa i përket qëndrueshmërisë ose stabilitetit të tyre buxhetor ekonomik dhe janë të ndarë në mendime, por kur bëhet fjalë për mbijetesën, ata shprehen me mendime të njëjta dhe të revoltuar se dita-ditës po varfërohen, këtu kanë të njëjtin mendim, pasi e kanë të pamundshme për t’i realizuar detyrimet financiare ndaj institucioneve të ndryshme shtetërore apo private.

Studentët e USHT-së, në hulumtimin e tyre kanë trajtuar edhe problematika të tjera që lidhen me shërbimet administrative të organeve shtetërore dhe kompanive private; Shërbimet që ofrojnë noterët (certifikuesit e kontratave); Problemet me përmbaruesit dhe komunikimin e tyre ndërinstitucional; Vlerësimin e punës së administratorëve shqiptarë, si dhe rolin e partive politike shqiptare në vendin tonë.

Të anketuarit, për çështjet e lartpërmendura shprehen të pakënaqur me shërbimet që u ofrohen, por vlerësojnë se me një angazhim më të gjerë, me detektimin e problemeve dhe denoncimin e tyre, ky realitet mund të ndryshohet.

Ky pyetësor është realizuar nga studentet e vitit të dytë të Fakultetit Juridik të Universitetit të Tetovës, të anketuarit janë nga qytete dhe vendbanime të ndryshme shqiptare të Maqedonisë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button