Site icon PORTALB

Marrëveshja e Ohrit, marrëveshje nacionale apo shtetërore?

Premtim Iseni

Tanimë, kur u bënë 14 vite nga arritja e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, është koha që qytetarëve të Maqedonisë dhe në veçanti qytetarëve shqiptarë t’iu thuhet e vërteta. Sa i përket Marrëveshjes së Ohrit, qytetarët nuk duhen mbajtur  të lidhur pas një miti i cili prezantohet si marrëveshje nacionale, ndërsa në realitet është një marrëveshje shtetërore.

Në aspektin juridik dhe politik ekzistojnë marrëveshje të llojeve të ndryshme, mirëpo për respekt ndaj lexuesve, do të paraqes nocionin e “Marrëveshjes” që na çon tek demitizimi i Marrëveshjes së Ohrit në ditët e sotme.

Me nocionin “Marrëveshje” nënkuptohet pajtimi i mendimeve ose pranimi i qëndrimeve të caktuara që arrihen ndërmjet dy apo më shumë palëve për të rregulluar një çështje.

Marrëveshja e Ohrit është marrëveshje e përbërë nga tre anekse edhe atë në aneksin “A”përfshihen amendamentet kushtetuese, në aneksin “B” ndryshimet në legjislacion dhe në aneksin “C” përfshihen implementimi dhe masat e ndërtimit të besimit, ku fjalën e fundit do ta thotë Kuvendi i Republikës së Maqedonisë. Kur të gjitha këto anekse do të marrin dritë jeshile nga Kuvendi, atëherë ato bëhen pjesë e Kushtetutës së vendit dhe kthehen në obligime shtetërore. Përgjegjësia për implementimin apo mosimplementimin e saj bie direkt mbi organet shtetërore.

Tani Marrëveshja e Ohrit e gushtit të vitit 2001, si e tillë nuk ekziston sepse anekset e kësaj marrëveshje tanimë janë të inkorporuara në Kushtetutën e vendit.

Për këtë fakt janë të vetëdijshme edhe partitë politike shqiptare në Maqedoni. Ato madje kanë pranuar drejtpërdrejt para qytetarëve shqiptarë se Marrëveshja e Ohrit tanimë është marrëveshje shtetërore dhe se nuk ekziston si Marrëveshje e vlefshme në ditët e sotme. Argumentet me të cilat është pranuar një fakt i tillë janë “Marrëveshja e Majit” e arritur në mes të BDI-së dhe VMRO-DPMNE-së dhe “Marrëveshja e Marsit” e arritur në mes të PDSH-së dhe VMRO-DPMNE-së. Të dyja këto marrëveshje, ndër pikat kryesore kanë zyrtarizimin e gjuhës dhe flamurit shqiptar. Këto pika i parasheh edhe Marrëveshja e Ohrit, mirëpo gjatë rrugës per t’u shndërruar në ligje pozitive të vendit, pësuan deformime të rënda saqë sot kemi zbrazëtira të shumta për interpretime të ndryshme të   këtyre dy ligjeve dhe jo vetëm.

Marrëveshja e Ohrit nuk ka qenë dhe nuk është marrëveshje nacionale. Marrëveshja e Ohrit është kompromis në mes të përfaqësuesve politikë shqiptarë dhe përfaqësuesve politikë maqedonas në atë kohë dhe dy përfaqësuesve ndërkombëtar z.Fransoa Leotar dhe z.Xhejms Perdju. Kjo Marrëveshje në fund nënshkruhet si Marrëveshje qytetare , duke respektuar dhe mbrojtur identitetin etnik dhe interesin e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë dhe nga këtu barra për implementimin apo mosrealizimin e saj në praktikë bie mbi organet e shtetit. Respektivisht, Marrëveshja e Ohrit e gushtit të vitit 2001 e shpëtoi Maqedonin si shtet, por jo nacionalitet të cilat jetojnë në Republikën e Maqedonisë.
Prandaj partitë politike shqiptare dhe qytetarët shqiptarë në përgjithësi duhet t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese dhe garantuesve ndërkombëtar për mosrespektimin e Kushtetutës dhe ligjeve pozitive të vendit nga ana e organeve shtetërore .

Mirëpo, partitë politike shqiptare në vend, në mungesë të vizionit për të bërë politikë produktive dhe serioze në interes të qytetarëve shqiptarë në vend, e improvizuan Marrëveshjen e Ohrit si marrëveshje nacionale dhe për 14 vite me radhë tentuan që edhe ta mitizojnë këtë marrëveshje.

Hap i parë për mitizimin e kësaj marrëveshje është krijimi i pozitës së  “Zëvendës/kryeministrit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit”, i cili çdo herë u dashka që të jetë shqiptarë.
Ky lloj posti është posti më banal dhe më komik qëe mund të ekzistoje në një shtet sepse anekset e Marrëveshjes së Ohrit tanimë janë pjesë e ligjeve të vendit dhe posti i zv/kryeministrit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit nuk është kompetent për atë se sa organet shtetërore i respektojnë ligjet e vendit , por ky lloj zv/kryeministri është thjesht për matjen e  përqindjes së nacionaliteteve të punësuar nëpër institucionet shtetërore.
Deri tani, 14 vite nga nënshkrimi i kësaj marrëveshje, në çdo raport ndërkombëtar për Maqedoninë , asnjëherë nuk u tha apo nuk u kërkua llogari nga zëvendës-kryeministri për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit se në çfarë niveli është përqindja e nacionaliteteve nëpër institucionet shtetërore, por vazhdimisht kjo lloj përgjegjësie është kërkuar nga institucionet përkatëse përgjegjëse në vend.

Prandaj qytetarët shqiptarë duhet ta kuptojnë që përvetësimi i Marrëveshjes së Ohrit dhe interpretimi i saj si marrëveshje nacionale është veshje e kostumit të huaj, që një ditë do te bie rrugës sepse është me numër të gabuar.

Exit mobile version