Nëntëmbëdhjetë njerëz, përfshirë gjashtë fëmijë, janë mbytur në det pranë qytetit Izmir të Turqisë.
Ata kanë qenë duke udhëtuar drejt ishullit grek Lesbos, kur anija e tyre prej druri është përmbytur nga valët e mëdha në Detin Egje.
Agjencia turke e lajmeve Dogan raporton se 14 migrantë vazhdojnë të jenë të zhdukur.
Roja bregdetare turke ka thënë se ekipet e shpëtimit kanë arritur të shpëtojnë 21 veta dhe se janë në kërkim të të mbijetuarve të tjerë.
Në një tjetër incident, më 23 dhjetor, së paku 13 njerëz, në mesin e tyre shtatë fëmijë, janë mbytur po ashtu në Detin Egje, midis Turqisë dhe Greqisë.
Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara dhe Organizata Ndërkombëtare për Migrim kanë thënë se mbi një milion migrantë dhe refugjatë kanë arritur këtë vit në Evropë, shumica e tyre përmes detit.
Sipas burimeve të njëjta, 3,692 njerëz janë mbytur në përpjekje për të arritur Evropën.