Site icon PORTALB

Mustafa: LDK autore e krijimit të shtetit të Kosovës

Isa Mustafa

Në 26 vjetorin e themelimit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, kryetari i këtij subjekti, Isa Mustafa tha se LDK u formua nga njerëz intelektualë e të çmuar, që patën guxim të dalin në ballë të proceseve të mëdha të shtet-ndërtimit.

Para Këshillit të Përgjithshëm dhe anëtarësisë së LDK-së, Mustafa foli për themelimin e partisë, ish-presidentin Ibrahim Rugova dhe LDK-në e tashme të cilën është duke e udhëhequr.

Edhe në këtë përvjetor ish-lideri i ndjerë i LDK-së Ibrahim Rugova u përkujtua si njeri që vuri themelet e shtet-ndërtimit të Kosovës dhe personi që për popullin e Kosovës, ngjalli simpatinë dhe mirëkuptimin e mbarë botës.

Kreu i LDK-së tha se kjo parti u themelua për ta mbrojtur Kosovën dhe vlerat kombëtare. Këtu ai kujtoi deklaratën e pavarësisë së 2 korrikut 1990, kushtetutën e 7 shtatorit, referendumin për pavarësi në shtator të vitit 1991 dhe krijimin e institucioneve parlamentare presidenciale të Kosovës në vitin 1992.
“Nën udhëheqjen e dr.Ibrahim Rugovës , Lidhja Demokratike vuri themelet e shtet-ndërtimit në Kosovë me trinomin e shenjtë: ’liri, pavarësi, demokraci’, që në fakt u bë lajtmotivi dhe programi politik e nacional i shqiptarëve të Kosovës, ndërkaq në planin e afirmimit ndërkombëtar së çështjes së Kosovës dhe kauzës sonë për udhëheqësi, fryma politike e Lidhjes Demokratike dhe presidentit Ibrahim Rugova, mori miratim global, ndërsa vet ai u shndërrua në një mit të formatit të gandit, duke ngjallur simpatinë dhe mirëkuptimin e mbarë botës për popullin e Kosovës dhe aspiratat për liri”, tha kryetari i LDK-së

Mustafa tha se LDK-ja dhe partitë tjera të asaj kohe, janë ato që u takon autorësia e krijimit të shtetit funksional të Republikës së Kosovës.

Exit mobile version