Site icon PORTALB

Nacionalizmi shfrytëzohet për lexueshmëri, Marrëveshja e Ohrit për të mbushur faqet

[Spitali i ri i fëmijëve – asnjë shkronjë në shqip (FOTO-LJAM)]

Në Maqedoninë e brishtë për nga marrëdhëniet ndëretnike, çdo lajm me një dozë nacionalizmi pin ujë. Çuditërisht edhe kur shkruhen tekste që nuk kanë asnjë element kredibiliteti, lexuesit shpesh nxiten nga këto tekste pasi që shkruhen me mjaft vrull dhe patriotizëm. Ky tekst pikërisht ka përdorur këtë “dobësi” të shoqërisë ndaj ngjarjeve me karakter ndëretnik. Autoi ka nisur gjoja të dëshmojë për anashkalimin e gjuhës shqipe nëpër insititucionet publike që është e garantuar me ligj, por ka dalë në fund tek përkrahja që Nikolla Gruevski gëzon nga shqiptarët.

Linku për te artikulli origjinal: “Spitali i ri i fëmijëve – asnjë shkronjë në shqip (FOTO-LAJM”

Data dhe koha e publikimit: 13.12.2015

Data e recensionit: 21.12.2015

Recensuese: Ferikan Iljazi

Portali “Ditari.com” ka huazuar një lajm viral që dëshmonte mungesën e Gjuhës Shqipe në tabelën hyrëse të spitalit për fëmijë “Kozle”, dhe një shqetësim i tillë është shumë me vend po të kishte qenë i kompletuar. Autori i tekstit pohon se ky spital me të cilën pjesësisht kryeson kuadër i BDI-së, e ka anashkaluar në total gjuhën shqipe, por një gjë e tillë nuk është dëshmuar me fakte nga brenda spitalit. Ekziston vetëm fotografia nga tabeta hyrëse, por nëse gazetari do të ishte munduar t’i shkojë kësaj teme më thellë, do të kishte kuptuar se në brendinë e spitalit çdo tabelë me përpikmëri është përkthyer edhe në shqip dhe për dallim nga përvojat e kaluara, nuk ekziston asnjë gabim drejtshkrimor.

“Spitali i ri i fëmijëve “КОЗЛЕ” në lagjen Kozle të Shkupit anashkaloi totalisht gjuhën shqipe, shkruan Fakte.

Përveç informatës gjysmake, në tekst ka edhe një mori komentesh që nuk i ngjajne një teksti që synon të vendosë në pah mos-reagimin e partisë shqiptare në pushtet, apo mos zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit me të cilën parashihet dygjuhësia.

“Gjendja katastrofale në drejtim të shkeljes së Kushtetutës dhe ligjeve pozitive në vend nga ana e institucioneve në drejtim të diskriminimit të gjithçka që ka të bëjë me shqiptarët ka marë hov dhe s’ka të ndalur”

Autori ka të drejtë të sulmojë partinë shqiptare në pushtet por nuk ka kërkuar llogari nga kjo parti, edhe pse në gazetari është rregull që të kontaktohen të gjitha palët e prekura nga tema që zhvillohet.

“Partia shqiptare në qeveri BDI vazhdon demagogjinë për të fshehur paaftësinë për të ndaluar diskriminim dhe nënçmimin e shqiptarëve për shkak të servilitetit ndaj partnerit maqedonas VMRO-DPMNE, si pasojë e hipotekave të funksionarëve shqiptarë”

Prej temës së dygjuhësisë, autori i tekstit del në përkrahjen që shqiptarët gjoja i japin kryeministrit Nikolla Gruevskit por ky element nuk duket të ketë shumë relevancë në këtë lajm.  Gazetari defokuson temën duke zbehur efektin e lajmit.

Autori i këtij teksti është dashur fillimisht të ofrojë prova të mjaftueshme, në këtë rast fotografi që do të dëshmonin për anashkalimin e shqipes që sipas tij po ndodh në këtë institucion. Por ai e ka përpiluar gjithë lajmin duke shfrytëzuar vetëm mbishkrimin në pjesën e jashtme të objektit. Është dashur të kërkohet prononcim edhe nga dy drejtorët, shqiptar dhe maqedonas  pasi prej qëndrimeve të tyre burojnë edhe momente të reja të këtij anashkalimi. Në kronikën që është bashkëlidhur më lartë, mund të shihen tabelat hyrëse që demantojnë gjithë supozimet të gazetarit që duket se nuk e ka përcjellë ngjarjen nga terreni. Gazetaria e mirëfillte nuk guxon të përpliohet brenda katër mureve, por kërkon terrenin dhe përpikmërinë për të ardhur deri tek e vërteta për çfarëdo teme.

Exit mobile version