Site icon PORTALB

Lu takon Berishën, i dorëzon vërejtjet e Venecias për reformën në drejtësi

Donald Lu takon Berishën

Ish kryeministri vendit, Sali Berisha priti sot në një takim ambasadorin e SHBA, zotin Donald Lu, i cili i dorëzoi zyrtarisht , në emër të ambasadës së SHBA por dhe të ambasadës së BE, draftin e vërejtjeve të Komisionit të Venecias për reformën në drejtësi.

Zoti Lu e falenderoi zotin Berisha për angazhimin serioz dhe kontributin e tij në këtë proçes themelor dhe shprehu bindjen se vërejtjet dhe sugjerimet e Komisionit të Venecias pasqyrojnë gjerësisht qëndrimet dhe vërejtjet e formuluara nga opozita. Ambasadori Lu i shprehu zotit Berisha dhe falenderimet për rolin e madh që ai ka luajtur në proçesin e miratimit të ligjit për dekriminalizimin.

Zoti Berisha e falenderoi ambasadorin Lu për mbështetjen e çmuar dhe përkushtimin e tij të madh në proçesin e dekriminalizimit. Pa këtë mbështetje dhe qëndrimet tuaja, ky ligj do ishte i pamundur, u shpreh zoti Berisha. Ai vlerësoi se ky ligj është një hap i madh përpara por nga ana tjetër shprehu keqardhjen më të madhe, se të nesërmen e miratimit të ligjit, Edi Rama emëroi në krye të socialistëve të Shkodrës një njëri të çertifikuar për vrasje nga drejtësia.

Zoti Berisha gjithashtu e falenderoi me mirënjohje ambasadorin për mbështetjen dhe angazhimin e madh që ai i jep reformës në drejtësi, të cilën zoti Berisha e ka vlerësuar dhe e vlerëson jetike dhe vendimtare për liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptar, prosperitetin e tyre dhe integrimin e vendit në Bashkimin Europian.

Zoti Berisha shprehu falenderimet për Komisionin e Venecias për punën e madhe që ka bërë dhe për komentet dhe rekomandimet e tij, të cilat janë në një valë me propozimet e opozitës. Këtë dokument zoti Berisha e konsideroi një bazë shumë solide për ti dhënë vendit reformën më të mirë të drejtësisë. Zoti Berisha theksoi se me vërejtjet dhe rekomandimet e Komisionit të Venecias, provohet se sa qesharake janë pretendimet se opozita është kundër reformës në drejtësi. Komentet, vërejtjet, rekomandimet apo sugjerimet dëshmojnë qartë se opozita është jo për një reformë që kap drejtësinë nga politika apo partia, por për një reformë të standarteve më të mira europiane.

Ish kryeministri Berisha shprehu besimin se opozita, sikundër deri sot, duhet dhe do të qëndrojë e angazhuar me të gjithë potencialin e saj për këtë reformë, e cila duhet të bazohet në parimet themelorë të kushtetutshmërisë, që aq me kopetencë i ka zbërthyer Komisioni i Venecias në vërejtjet e tij.

Në këtë kontekst, theksoi zoti Berisha, mendoj se forcat politike duhet të mbështesin këshillën e urtë të kryetarit të Komisionit të Venecias, i cili rekomandoi politikën e ndjekur për miratimin e ligjit të dekriminalizimit.

Zoti Berisha shprehu bindjen se ekzistojnë të gjitha mundësitë që të punohet dhe proçedohet për hartimin dhe miratimin e të gjitha amendamenteve kushtetuese dhe ligjeve të tjera që rrisin përgjegjësitë, transparencën dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor dhe ndëshkojnë korrupsionin në këtë sistem.

Exit mobile version