Site icon PORTALB

USHT në Shkup në gjendje mjerimi, premtohet Universitet i ri!

USHT në Shkup

Përderisa studentët e studimeve të disperzuara të USHT-së në Shkup ngrijnë nga të ftohtit dhe zhvillojnë ligjëratat në një objekt me filloristët, u miratua ligji për hapjen e një Universiteti të ri shtetëror në Shkup.

Studentët dhe profesorët shprehen të lumtur po skeptik sa i përket realizimit të një premtimi të tillë.

Disa profesorë të cilët deshën të mos prononcohen me emra, thonë për Portalb, se ky vendim është për tu përshëndetur, mirëpo mbetet të shohim sa do të jetë i realizueshëm.

“Është arritje e madhe hapja edhe e një universiteti në gjuhën shqipe në Shkup, mirëpo sa do të realizohet kjo është krejtësisht çështje tjetër.  Disa nga profesorët që aktualisht ligjerojnë në USHT kanë ngelur pa rroga me muaj, edhe kur i marrim ato nuk jepen rregullisht. Se di se sa do të arrihet që të sigurohet kuadro i cili do të paguhet në këtë Universitet. USHT tani më 21 vite dhe ende ballafaqohet me probleme hapësirash, kuadri, paga. Me të vërtet jam shumë skeptik në hapjen e këtij Universiteti”, tha një profesor i USHT-së.

Studentët aktual të USHT-së në Shkup shprehen për Portalb se janë të dëshpëruar nga gjendja momentale.

“Po na vjen shumë ftohtë, nuk po mundemi të koncentrohemi. Na sollën nje ngrohëse, por ajo ngroh vetëm ata që i ulën para. Është e tmerrshme dhe kur ankohemi disa nga profesorët na thonë se ne jemi ‘lule’ në krahasim me kushtet kur kanë studiuar ata. Ne e dimë për vështirësitë e tyre, mirëpo ka kaluar shumë kohë dhe është dashur që të ketë përparim dhe jo të ngelim njëjtë. Klasat janë edhe më të ftohta se të rrish jashtë”, tha për Portalb, A.G. student.

Sa i përket universitetit të ri, studentët thonë se përderisa politizohen universitetet edhe 100 të hapen nuk do të ketë rëndësi.

“Te ne gjithçka është politizuar dhe gjithçka menaxhohet nga partitë politike. Kështu mendoj që edhe 100  universitete të hapen nuk do të ketë ndonjë rëndësi, sepse do të jenë të politizuara dhe do të favorizojnë vetëm disa dhe jo të gjithë në bazë të dijës dhe njohurive”, shtoi studenti A.G.

Ndërkaq kohë më parë ish ministri i arsimit, Sulejman Rushiti  cilësoi se ideja e dhënë për Universitetin është dhënë për përfitime personale.

Exit mobile version