Site icon PORTALB

BOLL MOO!

Fatmir Sulejmani

Fatmir Sulejmani

– Duam ajër! – është kërkesa e tetovarëve që sot protestojnë udhëve të qytetit më të ndotur të botës.

Kërkesa e tyre është njerëzore, e drejtë dhe e paprolongueshme. Ata e kërkojnë shpëtimin prej një qeverie të papërgjegjshme, që nuk çanë kokën për mbrojtjen e ambientit jetësor dhe shëndetit te popullatës së saj.

Ata nuk duan më shumë se vendosjen e filtrave në oxhaqet e kombinatit metalurgjik “Jugohrom” – helmuesit të 200.000 banorëve, vrasësit të njerëzve me grimca të padukshme kancerogjene PM10, që, sipas statistikave të vetë Ministrisë së ambientin jetësor…, është cilësuar kontaminuesi numër një i Pollogut.

Gjendja alarmante është përkeqësuar në veçanti ditëve të fundit, kur shkalla e ndotjes është bërë 20 herë më e lartë se ajo e lejueshmja me ligje e konventa ndërkombëtare. Pikërisht ky është sebepi i daljes në protesta masive të qytetarëve dhe ndërprerjes së mësimit në të gjitha shkollat e qytetit.

Përgjigja se si erdhi gjer këtu dhe a mundi të zgjidhet ky problem pa nxitur protestat, i takon së shkuarës dhe atyre që nuk ditën ta japin në kohën e duhur. Tani më janë ezauruan justifikimet e flashkta të politikës, e cila duhet të parandalojë katastrofat anakronike si kjo me ndotjen, jo të zhagitet post festum pas problemeve që i krijon vetë dhe që lejon të arrijnë shkallën e të padurueshmes. Tani është vonë dhe “Jugohromi” nuk mund të vazhdojë kontaminimin çernobilian të popullatës vetëm pse i siguron VMRO-së disa qindra vota të punëtorëve dhe familjarëve të tyre që s’kanë nga t’ia mbajnë.

Nuk ka më vend për arsyetime kontraverse në stilin: jo janë shkaktarë të ajrit të tejndotur drunjtë e nxemjes, jo komunikacioni, jo më the e të thashë. Janë statistikat zyrtare ato që e dëshmojnë më së miri se “Jugohromi” është i pari në listën e ndotësve të ajrit, si për nga sasia, si për nga rrezikshmëria e helmeve që vjellin oxhaqet e tij. Këtu duhet të pushojë muhabeti dhe të merret vendimi për ndërprerjen e punës së exhelit të pollogut gjer në vënien e filtrave, të cilët, pa protesta të qytetëruara qytetarësh, do të prolongohen gjer sa të përfundojmë 100% në ordinancat onkologjike, pa dallime racore, etnike, religjioze, ideologjike…

Kjo është më urgjente, pastaj shohim e bëjmë diçka edhe me ndotësit tjerë: 40.000 automjetet që thuhet se ka Tetova, pjesa më e madhe e të cilëve funksionojnë pa katalizatorët e domosdoshëm, plehërat që digjen brenda sinorit të banuar të qytetit, furrat e ndërmarrjeve më të vogla etj.

Por edhe kur të vendosë filtra “Jugohromi”, dhashtë Zoti sa jemi gjallë!, populli viktimë e meriton transparencën për tipin e materialeve që ka djegur, djeg e do të djegë mortaja që kosit ardhmërinë. Dikush duhet ta thotë të vërtetën, sado e hidhur qoftë ajo, sepse të vërtetat e fshehura nën rogoze gjenerojnë probleme vështirë të zgjithshme në kohëra të mëpastajme. Këtë duhet ta thotë qeveria që harxhon miliona euro për kuaj, luanë e njerëz me hanzharë të frikshëm përpara gjyqeve ku ndahet drejtësia; qeveria që ndërton anije kusarësh në shtratin e Vardarit, në vend se ta pastrojë e shpëtojë atë nga duhma dhe imazhi i qenefhanes; qeveria që nuk mund të gënjejë përjetësisht se s’paska para filtrash të domosdoshëm për vjellësin e helmeve vdekjeprurëse; qeveria që nuk ka të drejtë ta shndërrojë Tetovën kaq papërgjegjshëm në komorë gazi…

Boll moo!

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm ©Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Exit mobile version