Site icon PORTALB

Jugohromi, Tetova dhe “Vdekja e Nositit”

Vdekja është gjëja më e tmerrshme, nëse kështu kemi dëshirë ta pagëzojmë. Të përcaktohesh për vdekjen është niveli më i lartë shpirtëror që kërkon fuqi tejet të madhe, sepse asaj i ngarkohet diçka që nuk mund ta durojë. Fabrika e Jugohromit na çon të mendojmë dhe na bën me dije, se, nuk është jetë për tetovarët ajo që thuhet para se të vdesim, por jetë është ajo kur kemi forcë ta durojmë vdekjen, të përballemi me të dhe të dalim fitimtarë dhe të mbijetojmë me të. Juguhromi tregon që tetovarët duhet të vetëdijesohen për të forcuar unitetin shoqëror dhe për ta luftuar në çdo mënyrë të keqen helmuese.

Kjo përkapje origjinale e përmasës helmuese të shihet si koncept të përsosjes dhe të vetëdijes shoqërore tetovare. Jugohromi shpreh njohjen dhe pasqyrimin e vetvetes sonë, ndaj bashkimit popullor dhe nëpërmjet pelegrinazhit shpirtëror primordial tragjik, arrin shkallën e ndritjes popullore.

E çfarë do të thotë poezia “Vdekja e Nositit” e Lasgush Poradecit për qytetarët e Tetovës, në këto momente të vështira të ndotjes së ajrit me përmasa vdekjeprurëse kancerologjike? Kjo do të thotë jetë dramatike e tragjike, jetë e hapjes së varrit në gji:

“Me zjarr ju flas…,me zjarr…

Në gjirin t’im kam hapur varr…”, (Lasgush Poradeci)

Ky zjarr i tetovarëve ditëve të fundit është shpirti protestues, rebelues, kur në këtë moment të ngritjes së zërit kundër helmimit të fabrikës së Jugohromit digjet çdo gjë në brendinë e qytetarëve tetovarë, kjo krijon dhembje të fuqishme, prej kësaj dhembje të fortë formohet flaka protestuese, kjo flakë krijon në gjirin, gjoksin dhe zemrën e nositëve tetovarë varre të hapura, që e ka kuptimin e sakrificës së popullatës, idealit dhe rrugës së shpëtimit të frymëmarrjes së shëndetshme e të lirë. Kjo sakrificë tetovare, ky varr i brendshëm do të bëhet shkak i “liqerit zemërak” që te “zemra” e nositëve “kullon gjak”.

“Un’ ik liqerit zemërak

Fatlum dh’i pastër si zëmbak, Po zemra ime kullon gjak:”.

Gjaku i kulluar nga zemra e nositëve tetovarë do të shndërrohet në tragjedi apo dramë popullore, që për tetovarët do të jetë përcjellëse e përhershme e rrugëtimit popullor. Nositët tetovarë duke qenë të pa aftë të tolerojnë helmimin e ajrit, përballohen me kundërshtitë e vdekjes, pa asgjë, pa forcë fizike, por vetëm me zjarrin e gjuhës revoltuese e protestuese: “Me zjarr ju flas…, me zjarr”, me varrin në gji: “Në gjirin t’im kam hapur varr…”Që e ka kuptimin e qetësisë dhe zhdukjes fizike tetovare.

Kjo fuqi helmuese nuk është diçka pozitive që stërvishet prej negatives, por kjo është fuqi që popullata tetovare e shikon në sy negativen dhe janë gati të banojnë me të. Këtu nuk bëhet fjalë për diskurse shterpe, por për sfida serioze, është kjo jeta e shpirtit që është gati të ballafaqohet me gjëra të padurueshme. Ballafaqimi i qytetarëve të Tetovës me gjenocidin, holokaustin dhe despotizmin shtetëror, me këto fuqi të shkatërrimit është obligim i të menduarit dhe autoterapia është në të vërtetën e vdekjes. Ky etos i çmendur i shpirtit dhe përtypja e këtij helmi të Jugohromit çon drejtë një kataklizme eskatologjike të ekohapsirës shpirtërore, ndotja e ajrit dhe e shpirtit në faqet e natyrës makrokozmike lë gjurmët e saj edha në natyrën mikrokozmike.

Si ka mundësi që frymëmarrja të jetë e ngulfatur, e rëndë e trupi mos ta ndiejë këtë vuajte. Pikërisht poezia “Vdekja e Nositit” e L. Poradecit me anë të kultivimit të ekologjisë shpirtërore i del përballë dhe i kundërvihet fuqisë intensive dhe të fuqishme të së keqes.

Exit mobile version