Site icon PORTALB

Ushqimet ndaj të cilave fëmijët kanë alergji më së shpeshti, kujdes!

Fëmijë

Fëmijë, foto ilustrim

Ndaj ushqimeve të mëposhtme fëmijët kanë shpesh alergji, andaj duhet të keni kujdes dhe të testoni se a ka fëmija alergji nga këto ushqime para se ta lejoni atë të konsumojë ato.

Qumështi

Alergjia nga proteinat e qumështit të lopës është e zakonshme në fëmijë dhe prek rreth 2.5 % të gjithë fëmijëve. Këta fëmijë shpesh kanë alergji edhe ndaj çdo lloj qumështi tjetër, siç është ai i dhisë apo i deles. Reaksioni alergjik është i drejtuar ndaj proteinave të qumështit të lopës, kryesisht kazeinës, por edhe laktoglobinës. Laktoza (sheqeri i qumështit) nuk shkakton alergji, por shkakton në disa raste intolerancë ushqimore (ndaj laktozës). Kjo lloj alergjie mundet të zhduket me rritjen e fëmijës (rreth moshës 5 vjeç), në rreth 85 % të fëmijëve, por të qenurit alergjik ndaj qumështit është një faktor rreziku për të zhvilluar lloje të tjera alergjish, si psh riniti alergjik etj.

Veza

Alergjia nga veza është alergjia më e shpeshtë në fëmijë dhe prek 2.5 % të fëmijëve në fëmijërinë e hershme. Fëmija mund të jetë alergjik ndaj të gjithë komponentëve të vezës, ose vetëm të bardhës apo të verdhës. Në mjaft raste kjo alergji largohet rreth moshës 5 vjeç, por këta fëmijë kanë predispozitën për të zhvilluar Asthma Bronchialis dhe Rhinitis Alergjik. Përjashtoni nga dieta vezën dhe gjithë produktet që e përmbajnë atë.

Soja

Soja është një perime e ngjashme me kikirikun, megjithëse një reaksion i kryqëzuar ndaj të dyjave mund të ndodhë rrallë. Alergja ndaj sojës haset në rreth 0.3% të fëmijëve dhe zhduket në fëmijërinë e hershme dhe rrallë është jetë kërcënuese. Meqë është një alergji e shpeshtë në fëmijë, edhe me alergji ndaj qumështit të lopës, rekomandohet qumësht me proteina të hidrolizuara.

Gluteni (gruri)

Fëmijët dhe të rriturit mund të shfaqin variante të ndryshme të reaksioneve imunologjike ndaj glutenit, por vetëm një pjesë e vogël e tyre janë vërtet alergjikë. Fëmijët alergjikë ndaj glutenit rrallë janë alergjikë edhe ndaj drithërave të tjera (orizit, elbit, tërshërës). Prandaj, ushqyerja me ushqime të forta këshillohet të niset me drithëra pa gluten. Në rastet me alergji ndaj glutenit, ai duhet të përjashtohet nga dieta dhe duhet të përdoren drithërat e tjera.

Kikiriku

Alergjia nga kikiriku haset në rreth 0.6% të popullatës dhe është një formë e rëndë e alergjisë ushqimore që mund të shkaktojë edhe humbjen e jetës, sidomos në fëmijët me astmë. Mund të largohet rrallë me rritjen e moshës (vetëm në 20% të rasteve), duke e bërë atë një nga format më të shpeshta të alergjive ushqimore në të rritur. Ekspozimi aksidental ndaj produkteve që përmbajnë kikirik është një problem i zakonshëm, kështu që duhet që këta fëmijë të ndjekin një dietë strikte pa kikirikë, të mbajnë me vete një byzylyk ku shënohet kjo alergji dhe një dozë epinefrine gjithmonë me vete.

Arra

Alergjia nga arra haset në rreth 0.5 % të njerëzve, është e rëndë kur ndodh dhe nuk largohet me rritjen e moshës tek fëmijët. Në qoftë se fëmija është alergjik ndaj arrës, mund të jetë alergjik edhe ndaj bajameve dhe lajthisë. Edhe pse arrorët dhe kikiriku nuk janë një familje, mund të shfaqen edhe reaksione të kryqëzuara, kështu që ekspertët rekomandojnë në këto raste dietë pa këta dy përbërës.

Produktet e detit

Alergjia ndaj produkteve të detit përfshin si peshkun, edhe guackat. Edhe këto reaksione alergjike janë jetë kërcënuese dhe rrallë largohen me rritjen e fëmijës. Kjo është edhe arsyeja që hasen shpesh në të rritur. Alergjia ndaj një lloj ushqimi deti, rrit mundësinë për të pasur alergji edhe nga produkte të tjera. Në të tilla raste rekomandohet përjashtimi i plotë i këtyre produkteve nga dieta. E njëjta gjë këshillohet edhe në rastin e alergjisë nga peshku.

Exit mobile version