Site icon PORTALB

Gruevski konfirmon sulmet me bomba ndaj Musa Xhaferit, Arif Hasanit dhe Mijallkovit

Nikolla Gruevski

Kryeministri Nikolla Gruevski ka konfirmuar informacionet e plasuara më herët se në oborrin e shtëpisë së zëvendëskryeministrit Musa Xhaferi dhe zëvendësdrejtorit të policisë sekrete (DSK), Arif Hasani janë hedhur bomba. Ai ka konfirmuar edhe një sulm me predhë në afërsi të shtëpisë ku jeton ish drejtori i DSK-së, Sasho Mijallkov. Në opinion moti kohë përflitej për këto sulme, por kishte tentime për demantimin e tyre. Gruevski i ka konfirmuar në intervistën e dhënë për portalin “Press24”.

“Gjatë këtij viti patëm sulm ndaj stacionit policor Goshincë, dy bomba në afërsi të stacioneve policore në Tetovë dhe Kumanovë, pastaj sulmin e madh terrorist në Kumanovë ku 8 policë e humbën jetën dhe një pjesë e madhe e tyre u plagosën në luftën e paepur me një grup të mirëarmatosur terrorist, bombë në oborrin e nënkryetarit të Qeverisë Xhaferi, bombë në oborrin e zëvendës drejtorit të DSK-së, kërcënim publik ndaj meje, Sasho Mijallkovit dhe familjeve tona nga ana e të ashtuquajturës U:K, predhë ndaj Qeverisë në kohën kur ishim duke mbajtur mbledhje të Qeverisë, predhë në afërsi të vendit ku jeton Sasho Mijallkov”, ka deklaruar Gruevski, transmeton “Lajm”.

Ai ka tentuar të tërheqë paralele mes kërcënimeve terroriste në nivel global dhe kërcënimeve për sigurinë e Maqedonisë.

“Arrestuam shumë pjesëtarë vendorë të ISIS-it në Maqedoni, kurse pati edhe paralajëmrime të hapura nga pasuesit e tyre ndaj Maqedonisë dhe posaçërisht ndaj udhëheqësisë shtetërore. Çka duhet të ndodhë më tepër që të konstatojmë se jetojmë në kohë jashtëzakonisht të tensionuar në aspektin e sigurisë edhe në Evropë edhe në Maqedoni. Por nuk guxojmë as të përkulemi e as të ikim nga këto kërcënime. Duhet t’i trajtojmë dhe të shkojmë përpara”, ka deklaruar Gruevski.

Exit mobile version