Site icon PORTALB

Jahjaga: Kushtetuta iu garanton grave të drejtën e trashëgimisë

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në një ceremoni të organizuar nga Agjencia Ndërkombëtare për Zhvillim e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID), sot në Prishtinë ka hapur fushatën kombëtare për mbështetjen e të drejtave pronësore të grave. Së bashku me presidenten Jahjaga, pjesëmarrës të kësaj ngjarjeje ishin edhe ministri i Drejtësisë së Kosovës, Hajredin Kuçi, ambasadori i SHBA-ve në Kosovë, Greg Delawie dhe drejtori i USAID-it, James Hope, raporton Anadolu Agency (AA).

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga tha se fillimi i fushatës për mbrojtjen e drejtave pronësore të grave po mbahet pikërisht në ditën kur po festohet 10 vjetori i fillimit të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të Drejtave të Njeriut, 10 dhjetorit. Ajo theksoi se e drejta në pronë është një prej parimeve themelore të të drejtave të njeriut dhe e drejtë universale e paraparë dhe e garantuar edhe me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës por që fatkeqësisht, sipas saj, në praktikë shpesh herë realizohet si një privilegj i realizuar i burrave që në mënyrë të padrejtë ua mohojnë këtë të drejtë grave.

“Të drejtat e mohuara për qasjen në pronë ua mohojnë atyre të drejtën për pavarësi financiare dhe ekonomike, duke iu pamundësuar jo rallë herë grave, ndërprerjen e marrëdhënieve abuzive të cilat, siç e kemi parë, mund të çojnë deri te mohimi i së drejtës së tyre edhe për jetë”, tha presidentja Jahjaga duke shtuar se, të drejtat e njeriut nuk janë privilegj i veçantë i një grupi të shoqërisë, në këtë rast burrave prandaj, porositi se, mbrojtja dhe realizimi i plotë i të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim, është obligim qytetarë dhe institucional.

Presidentja falënderoi USAID-in për mbështetjen e dhënë për fillimin e realizimit të plotë të gjitha të drejtave pronësore të grave, përmes kësaj fushate e cila do të mundësojë që gratë kosovare të kërkojnë të të drejtën e tyre për të trashëguar dhe të drejtën e tyre për të pasur qasje në burime ekonomike dhe financiare edhe të drejtën e tyre për një mundësi të barabartë.

“Garantimi i të drejtës në pronë është edhe respektimi i të drejtës ekonomike, sociale e kulturore e të gjithë qytetarëve të tanë, garantimi i së cilës i kontribuon sundimit të ligjit, zhvillimit ekonomik të vendit dhe mirëqenies së përgjithshme të shoqërisë tonë”, tha Jahjaga.

Ajo theksoi se dita e sotme është edhe ditë kur kurorëzohet aksioni “16 Ditët e Aktivizmit Botëror Kundër dhunës ndaj grave” ndërsa mohimi i të drejtës pronësore grave shihet si një nga faktorët që ndikojnë në paraqitjen e kësaj dhune. Shih për këtë, me qëllim të ndryshimit të diskursit shoqëror në reflektimin e argumentit ekonomik, social e politik, të fuqizimit ekonomik të gruas i cili ndikon tek gjithë shoqëria jonë, Ministria e Drejtësisë me ndihmën e USAID-it ka filluar të përpiloj strategjinë kombëtare për të drejta pronësore.

“Dëshirojë të përgëzoj edhe iniciativën e Ministrisë së Drejtësisë të ndërmarr me përkrahjen e USAID-it, për të përpiluar Strategjinë Kombëtare për të Drejtat Pronësore, duke i kushtuar një fokus të veçantë të drejtës pronësore të grave dhe nevojës së adresimit të problematikave me të cilat gratë përballen në realizimin e kësaj të drejte nga e cila pres të reflektoj masa konkrete dhe garantimi më efikas i qasjes së grave në pronësi”, tha presidentja Jahjaga.

Ambasadori i SHBA-ve, Greg Delawie ka theksuar se gratë në Kosovë nuk janë të barabarta në shoqëri edhe pse Kushtetuta dhe kornizat ligjore garantojnë barazinë gjinore sa i përket të drejtës pronësore. Ai ka rikujtuar se anketa të cilën e kishte realizuar USAID-i, në qershor 2014, tregon se vetëm 19 përqind e pronarëve të tokave në Kosovë janë gratë, më pak se 4 përqind e grave e trashëgojnë pasurinë e prindërve dhe vetëm 2 përqind e tyre ka marrë kredi bankare të përkrahur me patundshmëri personale.

 “Fatkeqësisht, të gjithë e dimë se është e zakonshme që gratë të heqin dorë nga trashëgimia dhe pasuria e tyre i mbetet meshkujve, shpesh herë duke i detyruar edhe dhunshëm që ta bëjnë këtë gjë. Vajzat në të shumtën e rasteve as që regjistrohen në listat e trashëgimtarëve që shërbejnë si bazë për ndarjen e pasurisë dhe procedurat e trashëgimisë”, tha ambasadori amerikan Delawie.

Sipas tij, përjashtimi i gjysmës së popullatës nga këto procese do të thotë që, Kosova nuk e shfrytëzon në tërësi potencialin e vet shoqëror, prandaj kjo është situatë e cila mundet dhe duhet të ndryshojë. Prandaj, Delawie tha sot në Prishtinë se po fillon fushata kombëtare për të drejtat pronësore të grave, mbështetur nga Programi i të Drejtave Pronësore i USAID-it i cili ka për qëllim vetëdijesimin e shoqërisë lidhur me ndryshimin e qëndrimit për të drejtat pronësore të grave, që ato kanë të drejtë ligjore dhe njerëzore të jenë pronare të pasurisë, patundshmërisë dhe në veçanti, të jenë pronare të tokave.

Në fund, ambasadori theksoi se USAID-i mbështet krijimin e një kornize ligjore moderne dhe një kulture institucionale e cila do t’iu mundësojë qytetarëve të Kosovës që në mënyrë të lehtë të bëhen pronarë të tokave, t’i regjistrojnë apo t’i shesin.

Exit mobile version