Site icon PORTALB

Rama për protestën: PD është mbytur në pellgun e vandalizmit mizerabel

Edi Rama

Edi Rama

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka komentuar protestën e sotme të Partisë Demokratike para Kryeministrisë, duke e quajtur PD-në parti pa vizion, pa lidership dhe pa asnjë alternativ qeverisëse.

Ai në një postim në rrjetin social Facebook ka shkruar se është shëmti e trishtueshme që mu në Ditën Kombëtare të Rinisë, të shohësh PD e sotme të mbytur në pellgun e një vandalizmi mizerabel.

Lexoni postimin e plotë të Edi Ramës:

Ç’shëmti e trishtueshme, mu në Ditën Kombëtare të Rinisë, të shohësh PD e sotme të mbytur në pellgun e një vandalizmi mizerabel, teksa kujton lëvizjen studentore që shembi regjimin komunist e i dha jetë vetë Partisë Demokratike, pa thyer asnjë xham.

Ç’shëmti e trishtueshme të krahasosh protestat e zemrave plot dritë, pasion, qytetari, ironi e humor të 25 vjetëve më parë, me këtë shfaqje të vobekte të politikës së ngjirur të PD-së, që përpelitet mes baltës së mendjeve të errëta të Shqupit dhe një tufë të verbërish të cilët shajnë në hava, thyejnë xhama kot me kot, ndezin zjarre kuturu e dëmtojnë qorrazi, pronën publike në mes të bulevardit të Shqipërisë.

Ç’shëmti e trishtueshme të shohësh 25 vjet pas krijimit të saj si forcë e shpresës, besimit dhe vullnetit evropian të shqiptarëve, një PD të katandisur në hijen e vetvetes, që shpresën e vdekur përpiqet ta ringjalle me sharje; besimin e humbur rreket ta rifitoje me gurë e shishe benzine mbi investimet publike; vullnetin evropian te shqiptareve kujton se e mishëron duke shkatërruar dy instilacione te artit urban – me te njëjtën egërsi primitive qe do t’i digjte e shkatërronte ne fakt dhe fatkeqësisht edhe regjimi komunist.

Keqardhje e sinqerte për te verbrit e shkrete qe s’dinë se ç’bëjnë me gurë e hekurishte neper duar.

Neveri për politiken e ngjirur te një Partie Demokratike ne shthurje te vazhdueshme, pa vizion, pa lidership, pa asnjë alternative qeverisëse dhe, fatkeqësisht, edhe pa asnjë lidhje me kohen evropiane te Shqipërisë e as me ëndrrat, shpresat, problemet e hallet e sotme te shqiptareve.

Exit mobile version