Site icon PORTALB

Ndryshime ligjore për kthimin e infermiereve në Shëndetin Publik

Infermiere

Infermiere

Infermieret, teknologët dhe teknologët radiologjik, me shkollë të mesme profesionale dhe të lartë, nëse duan, do të mund të kthehen nga Shëndeti Privat, në atë Publik. Këtë e mundësojnë ndryshimet më të reja ligjore të ligjit për mbrojtjen shëndetësore të cilën e ka përgatitur Qeveria dhe tanimë është në procedurë parlamentare, njofton Portalb.

Ashtu siç ka deklaruar sot, ministri i Shëndetësisë, Nikolla Todorov, ndryshimet ligjore kanë ardhur, si rezultat, sipas tij, i projektit të suksesshëm i cili është realizuar me mjekët e specializuar, ndërkaq qëllimi është që të rritet kualiteti në shërbimet shëndetësore, për të cilët punohet për kuadër të trajnuar, përgatitur dhe me përvojë.

Për këtë mundësi, ka shtuar Todorov, tanimë janë paraqitur 30 kërkesa për infermiere.

“Kusht për kthimin e infermiereve dhe teknologëve është që të kenë më së paku, tre vjet përvojë punë në ndonjë prej institucioneve shtetërore të shëndetit publik, ose shtatë vite përvojë punë në një institucion privat të shëndetit publik, të cilat i kryejnë aktivitetet e spitalit”, theksoi ministri.

Pas miratimit të ndryshimeve ligjore, do të publikohen konkurs në të cilin do të thirren që të paraqiten të gjitha infermieret të cilët i plotësojnë kushtet dhe duan të kthehen nga Shëndeti Publik Privat. /Portalb

Exit mobile version