Site icon PORTALB

Si do të funksionojë këshilli mbipartiak?

Qenan Aliu

Qenan Aliu

Miq të dashur,

Mësova se pas një kohe të konsiderueshme qenka mbledhur Këshilli Mbipartiak.Jam shumë i vetëdijshëm se ky Këshill është mbështetur nga një numër i personaliteteve që unë i vlerësojë lartë. Siç kemi dëgjuar këtë ide e kanë mbështetur edhe dy subjekte politike dhe ndonjë nga asociacionet joqeveritare. Parimisht secili ka të drejtën e mendimit dhe të aderimit nëpër grupe të organizuara po edhe në Këshillin Mbipartiak.

Si fillim pjesëmarrësit në këtë Këshill kanë biseduar se çfarë emri do të mund të mbajë ky këshill, se do të angazhohet për unifikimin e zërit opozitarë te subjektet politike shqiptare, siç mësova, mundësisht që me pëlqimin e subjekteve ky këshill të mund të përpilojë edhe listën për zgjedhjet mundësisht jo vetëm me personalitete të partive por për të etabluar edhe personalitete jashtë anëtarëve të partive, pastaj ka propozuar komisionin për përpilimin e platformës apo programës për funksionimin e këtij këshilli si dhe detaje tjera.

Nuk kam dyshim se ideja për themelimin e Këshillit Mbipartiak mund të jetë fisnike, por ajo që është kureshtje ka të bëjë me atë se si mund të funksionojë një trup mbipartiak i tillë? Pra, a do të mundësojë ndonjë organ më i lartë i një subjekti politik siç janë Kuvendet Qendrore, Kongreset apo Kryesitë Qendrore të tyre, pra të lejojnë që eventualisht për diçka kompetente në përputhje me dokumentet e subjekteve që janë kompetent për të vendosur ato, vendimmarrjen përkatëse të ia lënë në kompetencë këtij Këshilli Mbipartiak.

Dhe dilema tjetër mund të jetë ajo hipotetike, se, poqe se partitë opozitare aktuale marrin bekimin e elektoratit shqiptarë në këto zgjedhje të parakohshme, Ky këshill më pastaj a do të ekzistojë përsëri për unifikimin e zërit opozitar me subjektet që do të humbin bekimin e qytetarit!? Dhe sa për fillim, që në mbledhjen e parë pas emërimit të kryesuesit jo partiak të këtij këshilli, për shqyrtim do të kemi mundësi të kërkojmë apo të lexojmë vlerësimet dhe opinionet e këshillit për çështje përkatëse për të cilat ky këshillë do të vlerësoj se është kompetent për të marr vendime, qëndrime apo për të ndërtuar opinion.

Dhe prej sonte jam kureshtarë të dij, i inspiruar nga fotoja e drekës me karakter pune të këshillit se p.sh. si ka mundësi që të jetë anëtarë i këtij Këshilli personalitet partiak që aktualisht nuk mund të menaxhojë parti kurse të synojë të japë ide apo të merë pjesë në vendimmarrje në një trup MBIPARTISH.

Kjo është konfuzitet, bile e përzier me kos dhensh. Nuk dëshiroj të kem të drejtë në asnjë prej dilemave që shtrova, pse jo, ia vlen të provohet, por për ata çështje që Këshilli Mbipartiak do të thirret si kompetent dhe meritorë, sigurisht që ne do të kemi të drejtën për të pyetur publikisht për interpretime autentike për çështje përkatëse.

Exit mobile version