Gjykata e Apelit të Prishtinës ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej 30 ditësh, ndaj deputetit të Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Nëpërmjet një komunikate, Apeli ka gjykuar si të pabazë kërkesën e avokates së Kurtit, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore të Prishtinës, më datë 28 Nëntor.
Mbi Albin Kurtin rëndojnë tre akuza: “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” dhe “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, i ka bërë thirrje opozitës për dialog pa kushte, me qëllim tejkalimin e krizës që ka kapur vendin. Tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma u mblodhën për të shqyrtuar kërkesën e Kryeministri Mustafa dhe njoftuan se e kanë refuzuar ofertën e drejtpërdrejtë për bisedime pa kushte.