Site icon PORTALB

Paris, akullnajat para Pantheonit do të shkrihen deri në fund të COP21

Akullnajat para Pantheonit do të shkrihen deri në fund të COP21

Në kuadër të projektit “Ice Watch” të artistëve Olufur Eliassonit dhe Minik Rosingut, me qëllim të tërheqjes së vëmendjes për ndryshimet klimatike, para Pantheonit në Paris janë vendosur 12 pjesë të akullnajave të rënda 80 ton, të cilat kanë notuar në ujërat rreth Grenlandës, raporton Anadolu Agency (AA).

Këto masa akulli janë sjellë nga qyteti Nuuk, në Grenlandë. Artisti vendosi për këtë hap në kohën kur në Paris po mbahet Konferenca e Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike (COP21), ku marrin pjesë përfaqësues nga më së paku 195 vende të botës.

Për të vërtetuar ndikimin e njerëzve në ndryshimin e klimës, pjesë të akullnajave do të jenë të ekspozuar ndaj faktorit njeri dhe kushteve të motit në Francë. Kalimtarët, si tregues simbolik të ndikimit të faktorit njeri në akullnaja, do të lejohen të prekin akullin gjë e cila shkakton shkrirjen edhe më të shpejtë të tyre.

Këto akullnaja janë vendosur në zonën përreth Pantheonit dhe aty do të shkrihen deri në fund të Konferencës, më 11 dhjetor.

Qëllimi i konferencës është arritja e një marrëveshjeje të obligueshme në luftën kundër ndryshimeve klimatike dhe uljen e emetimit të gazrave të dëmshëm.

Marrëveshjet ekzistuese në këtë fushë janë të vlefshme deri në vitin 2020, dhe për këtë arsye pritet që liderët e vendeve pjesëmarrëse të nënshkruajnë udhëzimet e reja të cilave do t’iu përmbahen në dekadën e ardhshme.

Marrëveshja kornizë e Konferencës së Parisit pritet të publikohet më 9 dhjetor, në gjashtë gjuhët zyrtare të Kombeve të Bashkuara.

Exit mobile version