Site icon PORTALB

Lavrov: Nuk dëgjova diçka të re nga homologu turk

Sergei Lavrov, Ministri rus i Punëve të Jashtme

Ministri rus i Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, pas takimit me ministrin turk të Punëve të Jashtme, Mevlüt Çavuşoğlu deklaroi se nuk dëgjoi asgjë të re nga homologu turk lidhur me rrëzimin e avionit ushtarak rus, raporton Anadolu Agency (AA).

“U takuam me shefin e diplomacisë turke me kërkesë të tij, por nuk dëgjuam asgjë të re. Ministri turk i Punëve të Jashtme përsëriti tashmë qëndrimet e njohura të cilat i kemi dëgjuar nga presidenti dhe kryeministri i Turqisë. Ne përsëritëm qëndrimin tonë”, tha Lavrov.

Ministrat e Punëve të Jashtme të Turqisë dhe Rusisë, Mevlüt Çavuşoğlu dhe Sergey Lavrov u takuan sot në Beograd.

Siç lajmëroi gazetari i AA-së nga Beogradi, në hapësirat e Seancës së 22-të të Konferencës Ministrore të OSBE-së, Lavrov dhe Çavuşoğlu sot kanë mbajtur takim në të cilën kanë biseduar mbi marrëdhëniet Turqi-Rusi.

Takimi është mbajtur në dyer të mbyllura, ndërsa tema kryesore e bisedës ka qenë kriza në marrëdhëniet mes dy vendeve, që erdhi pas rrëzimit të avionit rus për shkak të shkeljes së hapësirës ajrore turke.

Ky është takimi i parë i zyrtarëve të lartë të dyjave vendeve pas ngjarjes së lartpërmendur.

Exit mobile version