Site icon PORTALB

Komente të ndryshme për mesazhet e sekretarit Kerry

John Kerry gjatë vizitës në Kosovë

Mesazhet që solli sekretari amerikan, John Kerry, gjatë vizitës së tij të shkurtër në Kosovë, janë përcjellë me komente të ndryshme nga analistë  e politikanë.

Kerry në një konferencë për media nga aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari” , tha se SHBA nuk do të përkrahte asnjëherë marrëveshje që cenojnë sovranitetin e saj.

Ai po ashtu foli edhe për raportet në mes pozitës dhe opozitës, duke theksuar se gazi nuk duhet të jetë asnjëherë pjesë e Kuvendit të Kosovës, si dhe të dy palët si pozita ashtu edhe opozita duhet të bëhen bashkë për interesa të vendit.

Sipas zëvendëskryeministrit, Hashim Thaçi, mesazhet e Kerry-t ishin të qarta dhe se përkundër sfidave globale, SHBA mbetet e përkushtuar si partnere e Kosovës.

Ata që na ndihmuan të çlirohemi dhe të pavarësohemi po na ndihmojnë edhe të forcohemi dhe të bëhemi anëtarë të BE-së dhe NATO-s. Nëse bëhemi bashkë dhe dialogojmë në mes vete në institucionet që i kemi krijuar, asgjë kurrë nuk do të na ndalë. Kerry vlerësoi lidershipin e Kosovës dhe guximin e shtetit tonë që të përballet me sfida dhe të shënojë sukses në ndërtimin e shtetit”, ka shkruar Thaçi në Facebook.

Edhe aktivisti i Vetëvendosje!-s, Ylli Hoxha ka komentuar vizitën e sekretarit amerikan, duke thënë se Kerry nuk e kritikon “Zajednicën”, kuar atë e kanë pranuar Isa Mustafa e Hashim Thaçi.

Kur IsaHasha e shohin si të mirë marrëveshjen me Serbinë e me Malin e Zi, mos t’pret kush që John Kerry e kritikon. Nëse e bëjmë në kabull ‘Zajednicën’, na e bëjnë përhajr edhe amerikanët! Amerikanet e kanë përshëndetë edhe Republika Srpskën, pasi atë e ka pranuar Alija Izetbegovic!”,  ka shkruar Hoxha.

Ndërsa analisti, Lumir Abdixhiku, ka thënë se mesazhet e shtetit më të rëndësishëm dhe përkrahësit tonë më fundamental ishin të qarta.

Për opozitën: dhuna, gazi e rrahagjokit nuk kanë vend në parlament. Dialog; në vend të kërcënimit nëse mendohet të arrihet diçka. Për pozitën: korrupsioni e krimi politik të hetohet deri në nivelet më të larta; kushdo qofshin ata. Asnjë proces integrues i vendit s’guxon të mbetet peng i tyre”,ka shkruar Abdixhiku, në Facebook.

Ai më tej ka shkruar se këndej ka aventuristë e revolucionarë mjaftueshëm për ta provuar e testuar edhe rreshtimin kundër SHBA-ve; ka pasur gjithnjë, por sipas tij, ka edhe pushtetarë që për të shpëtuar veten nga gjykimi – special apo ekonomik pak ka rëndësi – janë në gjendje të sakrifikojnë gjithçka.

Por, më shumë për fat se për meritë, pranë veti kemi një aleancë që duhet shfrytëzuar si sytë e ballit. Kosovarët nuk kanë luks as të durojnë kapësit e sotshëm e as t’i mbështesin zhbërësit e nesërm. Për të dyjat, natyrisht, duhet mend e punë shumë – punët e shtëpisë nuk na i bën askush; këdo paçim në krah”, ka shkruar Abdixhiku.

Exit mobile version