Site icon PORTALB

Meta fton bizneset gjermane në Shqipëri: Reforma në drejtësi, siguri për investimet

Meta fton bizneset gjermane në Shqipëri

Në kuadër të vizitës në Dyseldorf, Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta zhvilloi takime me komisionet parlamentare të çështjeve evropiane e ndërkombëtare dhe me komisionin e ekonomisë së Landit të Westfalisë së Renit të Veriut.

Gjatë këtyre takimeve u diskutua për progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, situata e sigurisë në rajon dhe Evropë, kriza e refugjatëve dhe fushat e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Landit të Westfalisë së Renit të Veriut, veçanërisht në fushën e teknologjisë, energjisë dhe arsimit profesional.

Meta theksoi se reformat që Shqipëria ka ndërmarrë, veçanërisht reforma në drejtësi, do të krijojnë një klimë më të sigurt juridike për investimet e huaja dhe ftoi kompanitë e Landit të investojnë në Shqipëri, si një vend që ofron mundësi të mëdha.

Kryetari komisionit për çështjet evropiane dhe ndërkombëtare në Parlamentin e Landit të Westfalisë së Renit të Veriut, z. Nicolaus  Kern në një prononcim për mediat pas takimit tha se Shqipëria ofron mundësi të mëdha për investitorët,sidomos në sektorin energjetik. Z. Kern theksoi se Shqipëria mund të përfitojë shumë nga përvoja që ka Gjermania në këtë sektor dhe se disa kompani gjermane janë të interesuara për të bashkëpunuar në sektorin energjetik.

“E pritëm me shumë kënaqësi vizitën e Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta. Ne patëm shkëmbime mendimesh lidhur me shanset që ekzistojnë për të bashkëpunuar midis dy vendeve dhe është e qartë se të dy vendet kanë anët e tyre të forta…”, – tha z. Nicolaus Kern, i cili u shpreh i gatshëm për të vizituar Shqipërinë vitin e ardhshëm.

 

Exit mobile version