Site icon PORTALB

Ymeri: Policia bastisje pa urdhër dhe pa prezencën tonë në zyrë

Visar Ymeri, shef i Grupit parlamentar të “Vetëvendosjes!”, në një intervistë për “Kohën Ditore”, ka shprehur pritjet për reflektim të këtyre subjekteve

Visar Ymeri

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, gjatë konferencës së sotme për media, të thirrur lidhur me aksionin e djeshëm të Policisë së Kosovës në selinë e Vetëvendosjes për të arrestuar Albin Kurtin, tha se manifestimi i djeshëm protestues i opozitës së bashkuar ishte madhështor dhe me pjesëmarrjen e mbi 35 mijë qytetarëve, gjë e cila e ka irrituar pushtetin aktual që, sipas tij, ka urdhëruar bastisjen e dhunshme të selisë së Vetëvendosjes, madje pa urdhër të shkruar për bastisje, raporton Anadolu Agency.

“Asnjë dokument nuk e ka paraqitur Policia e Kosovës dje për bastisje të zyrës së Lëvisjes vetëvendosje. Pra, nuk ka pasur një urdhër të shkruar, për bastisje të zyrës. Krejt çka ka pasur policët dje në dorë, udhëheqësi i tyre i cili ishte në zyren tonë, ka qenë fletarrestimi për deputetin Albin Kurtin ndërsa kurrfarë dokuemti tjetër nuk kanë paraqitur dhe kanë hyrë e kanë basisur zyret e Lëvizjes vetëvendosje pa pasur asnjë njeri tjetër, përveç pjesëtarëve të Policisë dhe eventualisht ndonjë prokuror hetues” tha kryetari i VV-së, Ymeri.

Duke potencuar se me rastin e bastisjes në selinë e Vetëvendosjes nuk ka pasur asnjë zyrtarë të partisë, në cilësi të dëshmitarit, si dhe për faktin se policia më vonë, pas përfundimit të aksionit kishte paraqitur një listë të gjatë të mjeteve që i ka gjetur në ambientet e bastisura, Ymeri ka hedhur dyshimin e tij se policia ka mundur edhe të lë gjësende aty.

“Nuk ka qenë askush brenda dhe askush nuk e di çka kanë gjetur e çka kanë lënë brenda Policia” theksoi kryetari i VV-së, duke shtuar se “ policia ka mundur të gjejë vetëm bombola të zbrazura të gazit lotsjellës, të cilat i kemi ruajtur si dëshmi për përdoprimin e tyre gjatë protestave tona, kundër nesh”.

Ndërkohë, Driton Çaushi nënkryetari i Vetëvendosjes ka dhënë raportin e të arrestuarve, të lënduarve dhe dëmeve të cilat janë bërë në selinë e vetëvendosjes, me rastin e aksionit të djeshëm nga policia.

Ai deklaroi se nga 87 persona të arrestuar, sa i ka identifikuar Lëvizja vetëvendosje, 12 nga ta ende po mbahen në arrest, së bashku me Albin Kurtin.

“Në këtë aksion është përdorur sprej, shufra gome e plumba gome… Sami Kurteshi, ish avokati i popullit është lënduar, siç keni mundur ta shihni edhe në pamjet filmike të djeshme. Pastaj Gani Krasniqi, patriot dhe ish i burgosur politik, organizues i themelimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ish kryetar i Malishevës, Valdrin Ahmeti i cili është rrahur brutalisht në stacion policor dhe më pas është dërguar në QKUK me lëndime të rënda, me dyshim për brinjë të thyer dhe dëmtime tjera. Pastaj, zëdhënësi Frashër Krasniqi i cili është rrahur dhe është qëlluar me plumba gome” raportoi Çaushi duke vazhduar të lexoi listën e të lënduarve që kanë pasoja dhe probleme shëndetësore pas intervenimit policorë.

Përndryshe, kryetari i Vetëvendosjes Ymeri, deklaroi se manifestimi i djeshëm e ka frikësuar pushtetin.

“Ky pushtet që u pa se nuk e duron assesi qytetarin. Pushteti u frikësua dje, sepse në shesh e dëgjoi zërin e po këtyre qytetarëve të cilëve ai po ua ka frikën dhe nuk po i duron. Marrëveshjet kriminale me Serbinë e me Malin e Zi, me të cilat po mishërohen aq shumë dhe për çdo ditë, Mustafa e Thaçi,dje e panë fundin e tyre. Prandaj, pushteti veproi ashtu siç e pamë gjithë ne, në orët e mbrëmjës” deklaroi Ymeri.

Ai shtoi se, përgjigja e djeshme e pushtetit aktual përmes policisë, ka dëshmuar se “Kosova nuk është shtet demokratik, nuk është shtet i të së drejtës, nuk është as shtet ligjor dhe nuk është madje as shtet policor, por ëstë qeveri policësh.

“Dje opozita është dhunuar. Ndërhyrja brutale e Policisë së Republikë së Kosovës e urdhëruar nga Mustafa e Thaçi, në zyrat e Lëvizjes vetëvendosje, është një akt i pa precedent, jo vetëm në vendin tonë por edhe kudo në botën demokratike” theksoi Ymeri duke e cilësuar bastisjen e djeshme të dhunshme dhe me thyerje, në zyrat dhe objektin e subjektit më të madh opozitar në vend, si tregues të një shteti autoritar i cili po rrëshqet kah diktatura.

Lidhur me seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës, Ymeri deklaroi se opozita as nesër nuk do të lejojë mbarëvajtjen e seancës së Kuvendit dhe se nuk do të ketë normalizim të funksionimit të institucioneve të Kosovës përderisa nuk tërhiqen marrëveshjet e dëmshme për vendin. Sa i përket, paraqitjes apo mosparaqitjes së deputetes Albulena Haxhiut në seancën e nesërme të Kuvendit, pasi që edhe për të është lëshuar urdhër-arresti, Ymeri tha që nuk e di nëse ajo do të paraqitet apo jo në seancë.

Në fund, Ymeri tha se përfaqësuesit e opozitës së bashkuar, sot do të zhvillojnë një takim në orën 17 dhe më pas do të dalin me një deklaratë të përbashkët për mediat.

Exit mobile version