Site icon PORTALB

Putin aprovon sanksionet ekonomike kundër Turqisë

Vladimir Putin

Presidenti rus Vlladimir Putin ka nënshkruar një dekret ekzekutiv me të cilin imponohen sanksione ekonomike kundër Turqisë, si pasojë e rrëzimit të avionit ushtarak rus nga ana e avionëve turk më 24 nëntor, raporton Anadolu Agency (AA).

Në deklaratën e lëshuar nga Kremlini të shtunën, thuhet se Putin ka nënshkruar dekretin me të cilin hyn në fuqi ndalesa për veprimtari ekonomike ndaj disa organizatave të cilat janë nën jurisdiksion të Turqisë si dhe të disa mallrave me origjinë nga Turqia.

Urdhëri poashtu ndalon punësimin e shtetasve turq nga punëdhënësi rus, ndërsa vendimi hyn në fuqi më 1 janar të vitit 2016. Ndalesa do të përjashtojë personat të cilët do të nënshkruajnë kontratë para kësaj date.

Sanksionet përfshijnë edhe pezullimin e njëanshëm të regjimit pa viza për shtetasit turq që udhëtojnë në Rusi duke filluar nga viti 2016, por ky urdhër përjashton qytetarët turq të cilët kanë leje të përkohshme ose të përhershme qëndrimi në Rusi, si dhe shtetasit turq – duke përfshirë edhe anëtarët e familjeve të tyre, të cilët punojnë në përfaqësitë diplomatike.

Sanksionet përfshijnë edhe ndalimin e fluturimeve çarter midis Rusisë dhe Turqisë. Për më tepër, do të rritet edhe kontrolli i sigurisë në anijet turke që lundrojnë në ujërat ruse në Detin Azov dhe në Detin e Zi.

Ministria e Jashtme e Turqisë kërkoi të shtunën që qytetarët e saj të anulojnë udhëtimet jo urgjente dhe të parëndësishme në Rusi në kohën kur marrëdhëniet mes dy shteteve janë të tensionuara.

Më 24 nëntor, avionët ushtarakë të Turqisë F-16 gjatë një patrullimi u ndeshën me një fluturake të paidentifikuar në hapësirën ajrore turke në kufirin me Sirinë.

Para se të qëllohet dhe rrëzohet nga avionët turk, fluturakja ruse ishte paralajmëruar në lidhje me shkeljen 10 herë brenda pesë minutave. Më vonë ministria ruse e Mbrojtjes njoftoi se një avion i saj i llojit SU-24 ishte qëlluar.

Exit mobile version