Cila është alternativa e Marrëveshjes së Ohrit?!

I nxitur nga debati politik aktual në lidhje me Marrëveshjen e ‘shenjtë’ te Ohrit dhe alternativat e saj ‘heretike” nga njëra anë,  dhe joserioziteti konceptual i qëndrimeve të pakoordinuara dhe konfuze të opozitës shqiptare për çështjen e lartpërmendur nga ana tjetër, por edhe nga heshtja serviliste e inteligjencies shqiptare, për të qetësuar intelektin tim të ‘nënçmuar’ gjegjësisht ‘ndërgjegjen’ time të trazuar, më duhet patjetër të protestoj ndaj ofendimit intelektual që i bëhet fjalorit terminologjik politik në Maqedoni, duke dhënë kontributin tim modest në dhënien e përgjigjes ndaj dilemës dhe debatit publik, për temën e lartpërmendur. Ne fakt;

  1. Se Marrëveshja e Ohrit ishte vetëm një kornizë formale brenda të cilës mund të diskutohen zgjidhjet për çështjet e hapura ndërnacionale ndërmjet dy popujve shumicë në Maqedoni, është fakt i pamohueshëm!
  2. Se marrëveshja është e gërshetuar në Kushtetutën e Maqedonisë, me çka e ka humbur ‘identitetin’ e saj politik dhe ka marrë identitetin historik me hyrjen e saj në histori si burim reference apo bibliografi për ngjarjet politike që kanë shkaktuar ndryshimin e kushtetutës dhe jo si dokument formal juridik me vlerë ekzekutive apo të veprimit juridik, është poashtu fakt i pamohueshëm.
  3. Se marrëveshja e Ohrit nuk është një “libër fetar” i zbritur nga lart më te cilin është thënë fjala e fundit e ‘Zotit’ të madhërishëm, dhe të gjithë që nuk e respektojnë apo e mohojnë do të quheshin ‘heretikë” apo “rebelë” të pandreqshëm të cilët duhet përndjekur dhe torturuar, është poashtu fakt i pamohueshëm.

Megjithatë, vetëm fjala ‘kornizë’ nënkupton një hapësirë të përkufizuar brenda të cilës duhet lëvizur dhe s’duhet dalë jashtë saj, por që kufijtë e saj nuk janë të përcaktuar në mënyrë fizike apo territoriale, kështu që interpretimi i saj mbetet të jetë hapësirë e mjaftueshme e manovrimit të shkathtë politik të subjekteve politike, në rrafshin semantik apo përmbajtësor me fleksibilitet dhe elasticitet të pakufizuar në mënyrë specifike.

Pikërisht këtu qëndron për fat të keq, mundësia teorike e interpretimit arbitrar apo restriktiv nga njëra anë, dhe për fat të mirë,  edhe mundësia e interpretimit elastik dhe ekstensiv të saj nga ana tjetër! Është çështje e interpretimit të saj apo keqinterpretimit hileqar të saj që i shkakton polemikat e vazhdueshme në skenën politike shqiptare, të cilët s’duan ta pranojnë realpolitikën në Maqedoni, dhe që jetojnë akoma në iluzionet utopike të viteve 90-të, por që njëkohësisht ‘shpërdorojnë’ hapësirën e lejuar politike nga faktorët politike shqiptare, të cilët po të donin dhe të ‘dinin’ se e kanë në dorë fatin e formimit të qeverisë dhe me të edhe ardhmërinë e shtetit, do t’u mjaftonte vetëm të ishin me këmbëngulës në insistimin e interpretimit ekstensiv të Marrëveshjes së Ohrit, dhe të merreshin vesh për ndarjen e ‘përgjegjësive’, përpara se të merreshin vesh për ndarjen e ‘privilegjeve’ të pushtetit.

Fundja, ne shqiptaret jemi të prirur të bëjmë “inat” dhe trimërohemi” me muaj, kur e kemi karshi një parti simotër shqiptare (shih historia e formimit të koalicioneve të pasluftës në Kosovë!), dhe assesi të na ringjallet “inati” i prolongimit të formimit të qeverisë dhe bllokimit të institucioneve qeveritare në prag të formimit të koalicionit qeveritar, kur në anën tjetër kemi një parti të një përkatësie tjetër etnike. Se ç’na zbutet zemra në këto situata, kurrë s’e kam marrë vesh, përveç se të  dyshoj në kompleksin e inferioritetit të ‘mbjellur” me dekada nga pushtues të ndryshëm, apo në xhelozinë e ‘pashërueshme’ ndaj suksesit të të afërmit te gjakut.

S’mund ta marr vesh ç’ne gjithë ajo nguti për të hyrë sa më shpejt në qeveri, mu atëherë kur është koha e pazareve dhe marrëveshjeve afatgjata, kur duhet të vendoset drejtimi i lëvizjes politike për një mandat katërvjeçar, kur vendoset për fatin e një gjenerate të tërë, atëherë kur duhet të jemi por edhe të ‘shtiremi” të vendosur në këmbëngulësinë e ‘realizimit definitiv të kornizave të parashikuara me Marrëveshjen e Ohrit, dhe mu atëherë kur pala tjetër duhet përballur me alternativat tjera të mundshme politike, siç janë formimi i strukturave paralele të administratës shtetërore në nivelin lokal, që do të rezultonte me ringjalljen e autonomisë së votuar territoriale politike, në formën e bashkimit të komunave me shumicë shqiptare në një ‘parlament’ shqiptar brenda shtetit, dhe që do të kushtëzonte në vazhdim edhe bisedimet e detyrueshme për shpëtimin e shtetit të përbashkët me një rregullim kushtetues të një shteti federativ territorial me kufij të brendshëm administrativ të nivelit qendror, ose me një federatë asimetrike me kufij të brendshëm administrative të nivelit komunal.

Kjo do të ishte përfundimisht alternativa e Marrëveshjes së Ohrit, por atëherë kur të na mbushet mendja se ajo ka shpresa vetëm nëse realizohet pa ‘ndërkëmbëza’ të përditshme nga faktori politik maqedonas pjesëmarrës në qeveri, gjë që do të shkaktonte opsionin e dytë, për fajin e mungesës së vullnetit të sinqertë politik, për ndërtimin e një shteti vërtet të përbashkët ndërmjet dy popujve shumicë.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button