Site icon PORTALB

Turiqia lobi i fortë për pranimin e Kosovës në UEFA e FIFA

Fadil Vokrri me zyrtarët më të lartë të federatës turke

Fadil Vokrri me zyrtarët më të lartë të federatës turke

Udhëheqësit e Federatës së Futbollit të Turqisë në krye me kryetarin Yldirem Demiroren kanë thënë se do ta mbështesin fuqishëm Federatën e Futbollit të Kosovës (FFK) për pranim në UEFA dhe FIFA.

Kryetari Demiroren së bashku me sekretarin Kadir Kardesh dhe përzgjedhësin e Turqisë, Fatih Terim, të enjten pritën në Stamboll delegacionin e Kosovës të përbërë nga kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, nënkryetari Agim Ademi dhe sekretari Eroll Salihu. Kryetari Demiroren, siç njofton FFK-ja, me padurim e pret pranimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA. Ndërkohë përzgjedhësi Terim shpreson se Kosova do të jetë në një grup me Turqinë për eliminatoret e kampionatit botëror “Rusia 2018”, përcjell sot Koha Ditore.

“Nuk e harroj ndeshjen me Kosovën. Do të më përmbushej dëshira e zjarrtë që në eliminatoret e botërorit të luajmë në një grup të njëjtë. Një nga ne duhet të jemi në Rusi”, ka thënë Terim, njofton FFK-ja.

Kosova në muajin mars të vitit të ardhshëm pritet të pranohet në UEFA e më pas edhe në FIFA. Nga zyrtarët e FFK-së është thënë se Kosovës i është rezervuar një vend në njërin prej grupeve eliminatore për kampionatin botëror.

Exit mobile version