Site icon PORTALB

Rinia ndërmjet sfidës dhe perspektivës

Rijad Mamuti

Periudha e rinisë është më e rëndësishmja, por edhe më e rrezikshmja. Madje, ajo është etapë e gjallërisë dhe prodhimit, periudhë e vrullit, vendosmërisë dhe aktivitetit. Ajo është periudha e fuqisë, e cila buron në mes dy dobësive: dobësisë së fëmijërisë dhe dobësisë së pleqërisë.
Nga kjo mund të vërehet rëndësia e kësaj etape dhe orientimit të drejtë të popullit në të, prandaj kujdesi për të është detyrë jona, në mënyrë që ajo të mos shkatërrohet dhe të degjenerohet. Rinia është vërtet pasuria më e çmueshme. Njeriu është pasuria më e madhe, ndërsa rinia është segmenti më i rëndësishëm i kësaj pasurie njerëzore. Prandaj, nëse dëshiron ta njohësh ardhmërinë e një populli, atëherë shiko gjendjen e rinisë së tij. Ç’bën rinia e tij? Cilat janë qëllimet jetësore të tyre? Si sillen, për se mendojnë, për se ëndërrojnë, ç’ndodh në ndenjjet dhe tubimet e tyre?

Përgjegjësia familjare ndaj të rinjve

Gjithashtu, ajo është përgjegjësi familjare, do të thotë përgjegjësi e babait dhe nënës. Përgjegjësia e tyre shtrihet deri në moshën e pjekurisë së fëmijëve të tyre dhe pas pjekurisë së tyre. Është e domosdoshme të mbikëqyren dhe të orientohen fëmijët. Të mos ia lëmë që preokupim kryesor i babait të jetë sigurimi i jetesës për fëmijët e vet. Siç nuk duhet të jetë preokupim sigurimi i veshmbathjes së bukur, dhënies së të hollave e tjerë. Nuk duhet të preokupohemi me përmbushjen e të gjitha këtyre të mirave, ngase disa prej prindërve (baballarëve) nuk dinë dhe as që brengosen për asgjë për bijtë dhe bijat e tyre. Disa nuk i pyesin bijtë e tyre ku shkojnë, ku i shpenzojnë paratë, ku rrinë, cilët janë shokët e tyre, i kanë kryer obligimet shkollore apo jo, këtë apo atë …? Detyrë e prindit është të kujdeset për fëmijët e vet dhe t’i kontrollojë ata, sepse është kujdestar i tyre. Nuk mjafton vetëm t’u sigurosh ushqim, e më pastaj të mos interesohesh për asgjë
Sfidat e të rinjve

Është me rëndësi që zbrazëtia e kohës së rinisë dhe shpirtit të tyre të mbushet dhe të stoliset me vepra të mira dhe aktivitete të ndryshme, si: aktivitete sportive, kulturore, relaksuese, fetare, të cilat do t’i lidhnin për ideale të mëdha, për shkak të të cilave dhe për të cilat do të jetojnë. Pjesën më të madhe të rinisë e hasim në kotësi. Rinisë i mungon familja me të cilën do ta përmbushte këtë boshllëk. Rinia jonë ndien boshllëk në punë dhe në ditët e pushimit. Çështje kryesore e shumë asociacioneve, organizatave joqeveritare dhe institucioneve është rinia dhe problemet e saj me alkoolin, narkotikët dhe veset e tjera, pa i llogaritur ata që konsumojnë duhanin dhe belatë e tjera. Bëhet fjalë për statistika dhe numra të mëdhenj të rinisë, e në veçanti në fokus është rinia e këtij vendi. Tek ne ka parregullsi dhe delikuencë, e kush është përgjegjës për dështimin e kësaj rinie, familja, ekonomia dhe Politikbërja nga Politikanët e pamoralshëm dhe të paditur.

Përgjegjësia shoqërore ndaj të rinjve

Kush është përgjegjës për këtë humbje? Sa janë përgjegjës baballarët dhe nënat e tyre? Sa janë ata të interesuar për bijtë dhe bijat e veta? Sa është përgjegjëse shoqëria, mediet, kultura, radiotelevizionet, teatrot, kinematë etj.? A janë përgjegjëse klubet rinore që merren me aktivitete sportive, me futboll dhe animin për këtë apo atë përfaqësuese?! A janë përgjegjës dijetarët dhe ligjëruesit, të cilët nuk çajnë kokën për këtë segment, as për udhëheqjen e drejtë?

Duhet ditur fakti se të gjithë bashkërisht jemi përgjegjës, duke filluar prej prindërve e deri tek funksionet më të larta. Rinia e humb orientimin e drejtë, dhe ku mund ta gjejnë atë kur para vetes ndodhen mjetet mediale dhe televizionet me programet më të deformuara me amoralitetin që prezantojnë. Të rinjve u nevojitet autoriteti dhe modeli, po a mund të gjejnë një model të duhur në shtëpi? A mund ta gjejnë në shkollë apo shoqëri? Fatkeqësisht, modele të tilla të duhura sot ka gjithnjë e më pak. Sot është vështirë të gjendet një baba, i cili mund të jetë shembull për fëmijët e tij, as pedagog tek i cili nxënësit do të shohin autoritetin dhe edukatorin e duhur.. Duhet të kuptojmë se kujdesi për të rinjtë nuk nënkupton vetëm kujdesin për trupin e tyre, po kujdesi për trupin, mendjen, zemrën dhe ndjenjat e tyre. Kujdesi ndaj të rinjve duhet t’i përfshijë të gjitha këto aspekte. Ne dëshirojmë një të ri të shëndoshë me trup, besim, mendje, vendosmëri dhe sjellje. Për këtë qëllim, të gjithë mekanizmat duhet të ndihmohen se si të kujdesen dhe t’i drejtojnë në mënyrën më të mirë, derisa të bëhet shembull i gjallë.

Exit mobile version