Behixhudin Shehabi i përgjigjet LR-PDSH-së
Në opinion u plasua një dezinformatë e pabazë e disa subjekteve opozitare shqiptare, sipas të cilave numri i të punësuarve shqiptarë në Ministrinë e Kulturës është shumë i vogël. Me këtë, ata donin të përgënjeshtrojnë deklaratën time se në këtë ministri, nga numri i përgjithshëm i të punësurave, shqiptarë janë 32 për qind, kështu shprehet në reagimin e tij, Bexhihudin Shehabi, sekretar shtetëror i Ministrisë së Kulturës.
Sipas tij, edhe pse ata dëshirojnë të minimizojnë arritjet e shqiptarëve në këtë dikaster, të dhënat zyrtare e përgënjeshtrojnë këtë pohim të tyrin. Kështu, sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Kulturës së Republikës së Maqedonisë, në këtë ministri, numri i përgjithshëm i të punësuarve është 163. Prej tyre, 51 janë shqiptarë, apo shprehur me përqindje del se 31,28% e të gjithë të punësuarve janë shqiptarë.
“Do të thotë, nëse merren parasysh këto të dhëna, atëherë del se pohimet e këtyre subjekteve të lartpërmendura nuk janë asgjë tjetër pos gënjeshtra dhe të pavërteta që kanë qëllime tendencioze. Në fund, dua të them se qëndroj plotësisht pas deklaratës sime, pas fjalëve që i kam thënë sepse e kam thënë të vërtetën. Asnjëherë nuk do të jap informacione të pavërteta, ngase jam i edukuar që të mos gënjej”, përfundon reagimin Shehabi.