Site icon PORTALB

“Moszbatimi i Marrëveshjes së Ohrit paaftësi e partisë shqiptare në pushtet”

Momenti i nënshkrimit të MKO

Përpjekjet për një analizë shkencore të Marrëveshjes së Ohrit në moment kur asnjë institucion apo individë nuk është sanksionuar për moszbatimin e plotë të saj për analistët dhe njohësit e çështjeve juridiko-politike në vend janë të pakuptimta, raporton Portalb.

Sipas tyre, shkelja dhe moszbatimi i MO-së është mospërfillje e Kushtetutës dhe organet kompetente duhet të mbajnë përgjegjësi.

Njohësi i çështjeve politike Ismet Ramadani tha se për moszbatimin e MO-së, që është edhe normë kushtetuese dhe normë ligjore, fajin ekskluzivisht e kanë partitë në pushtet.

“E para, ata i kanë pas të gjitha mundësitë, të gjitha format për implementimin e MO-së. BDI që është në pushtet ka pas mundësi çdo mbledhje të Qeverisë të kërkojë me këmbëngulje në rend dite të gjithë ministrat që nuk e kanë respektuar Marrëveshjen e Ohrit në përfaqësimin e shqiptarëve dhe çështjeve tjera të japin llogari. Dhe e dyta, ata gjithmonë e kanë pasur mundësinë të thirren në normat kushtetuese dhe ligjore, për t’i sanksionuar ata që nuk e kanë përfillë apo nuk e kanë zbatuar marrëveshjen. Pavarësisht a bëhet fjalë për drejtorë apo ministra… do të thotë të gjitha institucionet. Meqë nuk e kanë bërë këtë deri më tani, parashtrohet pyetja: ka qenë në pyetje mosdija, inferioriteti apo nënshtrimi ndaj Gruevskit dhe klikës së tij?! Dhe çdo arsyetim se sot e tutje do të veprojnë, është fakt se këta nuk kanë qenë në nivel të detyrës”, tha për Portalb Ismet Ramadani.

Zëvendëskryeministri Musa Xhaferi ka qenë i pakapshëm për redaksinë tonë për ta sqaruar pozicionin e tij rreth çështjes në fjalë.

Ditë më parë i pyetur nga gazetarët se a ndjen përgjegjësi si zëvendëskryeministër për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, që edhe pas disa kërkesave në raport-progresin për Maqedoninë, ende nuk është bërë analizë për Marrëveshjen kornizë të Ohrit, Xhaferi tha se përgjegjësia për moszbatimin e analizës së MO-së është kolektive, gjegjësisht e gjithë Qeveria.

Ndërkaq një qëndrim të këtillë të organeve kompetente analisti Ramadani e cilëson si paaftësi.

“Arsyetimi pas 15 viteve se pala tjetër ka penguar në implementimin e marrëveshjes tregon se kanë qenë të paaftë për të bërë atë që duhet bërë, e që është zbatimi i MO-së”, përfundon Ramadani.

Profesori universitar Osman Kadriu vlerëson se në brendësinë e saj Marrëveshja e Ohrit është mjaftë komplekse. Mendoj se që të jepet një përgjegjësi adekuate e plotë, edhe juridike edhe politike, nevojitet një shtjellim i duhur për shumë çështje.

“Opinioni im në lidhje me gjuhën konform MO-së është i qartë, jam prononcuar edhe me shkrim edhe gojarisht, shumë larg është ajo çka garantohet tash për gjuhën shqipe. Institucionet e shtetit natyrisht se janë përgjegjëse, sepse ato që kanë kompetencë në zbatimin e marrëveshjes të njëjtit kanë përgjegjësi për moszbatimin e saj. Duhet të kërkohet përgjegjësi prej institucioneve, sepse është dokument juridiko-  politik dhe shoqëror dhe i rëndësishëm për pozicionin e shqiptarëve të Maqedonisë”, theksoi për Portalb Kadriu.

Exit mobile version