Site icon PORTALB

Kosovë, opozita e bashkuar fton qytetarët në protesta më 28 nëntor

Në tubimin e opozitës së bashkuar kosovare është dhënë mesazhi se do të vazhdojë kundërshtimi i dy marrëveshjeve, themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe demarkacioni i kufirit me Malin e Zi.

PRISHTINË (AA) – Në tubimin e sotëm të opozitës së bashkuar kosovare, sot në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, është dhënë mesazhi se do të vazhdojë kundërshtimi i dy marrëveshjeve, për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, raporton Anadolu Agency (AA).

Liderët e tri partive opozitare kanë ftuar të gjithë qytetarët e vendit që, siç thanë ata, “me 28 nëntor, të gjithë ata 200 mijë qytetarë që e kanë nënshkruar peticionin kundër ‘Zajednicës dhe Demarkacionit’, pa dallime partiake, t’i bashkohen protestës mbarëpopullore për ta dëshmuar vendosmërinë për të mbrojtur vendin nga copëtimi territorial dhe humbja e sovranitetit”.

Në sallën ku ishin të pranishëm qindra aktivistë të partive opozitare kryetari i Nismës për Kosovën (Nisma), Fatmir Limaj tha se tubimi i sotëm i opozitës nuk është kundër askujt përpos kundër atyre që po e shkatërrojnë vendin dhe ka ftuar që të përhapet zëri opozitarë dhe të rritet fuqia për të mbrojtur Kosovën nga ndarja dhe vjedhja e territoreve.

“Po ju them se Kosova nuk ka konflikt të brendshëm, qytetarët kanë vetëm një konflikt dhe ai është se pozita me dy marrëveshjet që ka bërë dëshiron të krijojë territorin e Serbisë në vendin tonë”, tha Limaj duke porositur se këto marrëveshje nuk do të kalojnë assesi.

Lideri i NISMA-s po ashtu iu drejtua pushtetit aktual duke thënë se, nuk ekziston asnjë mjet propagandues i cili do ta ndalë opozitën e bashkuar drejt realizimit të objektivave të saj, sepse qëllimi për të cilin po lufton është fisnik.

“Ne nuk jemi bashkuar për një opsion politik, por na ka bashkuar tema për Kosovën, prandaj kjo opozitë e bashkuar çdo ditë do të zgjerohet edhe më shumë”, tha Limaj dhe porositi të gjithë të pranishmit që të përcjellin mesazhin tek gjithë qytetarët e Kosovës, pa dallim të bindjeve partiake, për t’iu bashkuar manifestimit paqësor të 28 Nëntorit.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, në fillim të fjalimit porositi se politika e cila po udhëhiqet nga koalicioni aktual qeverisës PDK- LDK ka sjellë deri tek situatat që “Kosova ti ketë dy zot shtëpie” dhe se Thaçi dhe Mustafa po krijojnë dy Kosova.

“Kosova duhet të ketë një zot shtëpie, por tani ajo i ka dy. Një është e Kosovës së pavarësisë, kurse tjetra e Zajednicës”, tha Ramush Haradinaj.

Ai shtoi se pavarësia e Kosovës e shpallur pas shumë kompromiseve të dhimbshme, që atëherë ishte thënë se janë vija e kuqe e Kosovës, ka filluar të zbehet dhe të kërcënohet. Për liderin e AAK-së, me politikën që po e bënë, koalicioni aktual Mustafa-Thaçi po lejojnë krijimin e Republikës Serbe brenda Kosovës dhe për këtë arsye, më 28 nëntor, atyre duhet t’iu dërgohet një porosi e qartë.

“Mustafa dhe Thaçi po i bëjnë dy Kosova. Këta dy po e detyrojnë policinë që të shërbejë për Zajednicën. Me 28 Nëntor ne duhet të japim një porosi. Nuk është mirë të festohet kjo ditë pa pasur porosi”, përfundoi Haradinaj.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri po ashtu u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që me 28 nëntor, në mënyrë masive dhe paqësore, të dalin për të kundërshtuar marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi, si dhe Qeverinë e cila sipas tij, po e shkatërron Republikën e Kosovës duke ia falur mbi 10 mijë hektarë tokë Malit të Zi dhe duke i lejuar Serbisë që të krijojë një shtet të vetin përbrenda Kosovës.

“Nuk mund të pranojmë betonizimin e Kosovës me Zajednicë dhe të falim tokë…sepse nëse lejojmë ‘Zajednicën’, atëherë Beogradi do të jetë përsëri kryeqytet i rajonit” deklaroi Ymeri sipas të cilit, Serbia tashmë e kontrollon Bosnjën dhe Maqedoninë.

Ai porositi se opozita nuk do të lejojë assesi krijimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Qëllimi ynë është ta ndalim ‘Zajednicën’ dhe të kemi sovranitetin e shtetit. Veprimet tona dhe vendosmëria e opozitës për të mbrojtur sovranitetin ka bërë që tash të ketë edhe ndërkombëtarë që mendojnë se marrëveshjet mund të tërhiqen sepse janë të dëmshme”, ka thënë Ymeri.

Në mbledhjen e sotme nuk ishin i pranishëm ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje dhe tash deputeti i Kosovës, Albin Kurti si dhe bashkëpartiakët e tij, po ashtu deputetë, Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli, për të cilët është lëshuar flet-arresti.

Pranë vendit ku është vajtur mbledhja e opozitës sot, ka pasur numër të madh të pjesëtarëve të Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Opozita e bashkuar për datën 28 nëntor ka paralajmëruar një marsh paqësor për të kundërshtuar dy marrëveshjet me Serbinë dhe Malin e Zi.

Exit mobile version