Site icon PORTALB

Si u minimizua me kohë vlera e Marrëveshjes së Ohrit

Momenti i nënshkrimit të MKO

Marrëveshja e Ohrit pritej të ishte një kthesë e shqiptarëve sa i përket pozitës juridiko-politike të shqiptarëve të Maqedonisë. Andaj ajo me shumë vullnet dhe optimizëm është përcjellë që nga nënshkrimi i saj, më 13 gusht 2001. Gazetarët e mirënjohur Isuf Kadriu dhe Isen Saliu kanë rrëfyer shkurt eksperiencën e tyre në raport me MO-në, që nga nënshkrimi i saj e deri më sot, raporton Portalb.

Marrëveshja e Ohrit doli nga lufta e lavdishme dhe u prit me gëzim

Isuf Kadriu për Portalb thotë se kur dëgjon debatet për Marrëveshjen e Ohrit, në nëpër kokë i sillen gjitha raportimet e para 15 viteve që ka bërë si gazetarë; përfshirë këtu çështjen për gjuhën, përfaqësimin, flamurin, decentralizimin, e çështje tjera.

“Ishte ndjenjë gëzimi e papërshkuar pasi besonim se vërtetë tani ka ardhur koha të ndryshohet statusi juridik i shqiptarëve në Maqedoni dhe kurrë nuk do të besoja se 15 vite më pas sërish do të raportojmë për tema të tilla. Kurrë nuk do te besoja se 15 vite më vonë fjala “Marrëveshje e Ohrit” do të më shkaktonte kaq shumë neveri dhe vetëm dëshpërim! E themë këtë pasi shumë sfera që kanë të bëjnë me të drejtat kombëtare mbeten pa zgjidhje”, deklaroi për Portalb Kadriu.

Se informatat dhe raportimet lidhur me Marrëveshjen e Ohrit në vitin 2001 ishin informatat më atraktive dhe më interesante, si për gazetarët poashtu edhe për opinionin, dëshmon edhe gazetari Isen Saliu.

“Kjo është shumë e kuptueshme, kur dihet se Marrëveshja e Ohrit buroi nga lufta e 2001-shit, sikurse buruan nga kjo luftë edhe parimet bazë të MO-së. Kështu ishte diku deri në vitin 2004-2005, kur raportimi për këtë marrëveshje filloi të bëhet i zbehtë dhe i mërzitshëm, ashtu siç zbehej dhe bastardohej implementimi i vetë Marrëveshjes. Në këtë periudhë filluan të paraqiten sqarimet dhe arsyetimet absurde se është me rëndësi fryma e Marrëveshjes së Ohrit, që për qëllim kishin të maskojnë dhe fshehin pamundësinë për të implementuar atë që ishte shkruar dhe nënshkruar, si nga përfaqësuesit politik shqiptarë e maqedonas, poashtu edhe nga përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare. Ndodhi një ndryshim i madh dhe i çuditshëm”, tha për Portalb Saliu.

Marrëveshjen e Ohrit e bënë të paaplikueshme vetë ata që e sollën

“Gjuha shqipe është nuk ka status të definuar. Ajo në një qytet përdoret si gjuhë zyrtare ndërsa në tjetrin jo, ashtu ndodhë edhe me institucionet, pra është lënë në vullnetin drejtuesve të tyre. Në Shkup edhe pse është gjuhë zyrtare ajo nuk përdoret në gjithë territorin dhe ndërmarrjet e themeluara nga Qyteti”, theksoi Kadriu

Njejtë është edhe me përdorimin e flamurit, thotë ai.

“Një komunë e përdor ndërsa një tjetër jo, psh në Likovë përdoret ndërsa në Kumanovë nuk përdoret edhe pse shqiptarët janë në numër të konsiderueshëm. Pra, ka shumë çështje të cilat edhe 15 vite nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit nuk kanë marrë epilogun e duhur. Nëse vazhdohet me këtë tempo druaj se do të pensionohemi si gazetarë duhet raportuar për zbatimin e saj. Kjo është vërtetë për keqardhje!”, potencoi Kadriu.

Sipas Saliut, tani MO ishte më e rrezikuar nga ata që votoheshin për ta mbrojtur dhe për ta zbatuar këtë Marrëveshje, se sa nga ata që e kishin kundërshtuar këtë marrëveshje prej nënshkrimit të saj.

“Atyre u duheshin sqarime dhe arsyetime të lloj-llojshme për të fshehur pafuqinë dhe pamundësinë që të realizojnë një Marrëveshje të nënshkruar dhe të afatizuar, për shkak se u kishin kushtuar më shumë rëndësi interesave personale, se sa parimeve të MO-së. Kjo ishte një sfidë e re për gazetarët dhe gazetarinë shqiptare, mirëpo shumë pak mediume arritën të mbajnë nivel në këtë sfidë, respektivisht të zhveshin synimet e politikanëve për të sakrifikuar MO-në për interesa të veta, duke e maskuar një gjë të tillë me gjoja interesa më të mëdha dhe më të rëndësishme, që realisht nuk varen prej tyre por prej faktorëve tjerë”, shprehet për Portalb Saliu.

Ka përfunduar dje debati në Klubin e deputetëve mes grupeve punuese ku është diskutuar për Marrëveshjen e Ohrit. Në kuadër të Marrëveshjes së Përzhinos grupet punuese po e analizojnë edhe procesin e deritanishëm të kësaj marrëveshje. Ndërkaq muajin e ardhshëm, dhjetor pritet të mbahet edhe një Konferencë ndërkombëtare ku do të analizohet Marrëveshja e Ohrit.

Exit mobile version