Site icon PORTALB

Donald Lu: Në Shqipëri të akuzuar si kriminelë si Shullazi e Frroku lëvizin të lirë

Donald Lu

Ambasadori Donald Lu duket se nuk do të tërhiqet nga artikulimet e drejtpërdrejta në lidhje me situatën e drejtësisë në Shqipëri. Edhe një herë, kësaj rradhe në konsultimin publik për reformën në gjyqësor që po zhvillohet në ambientet e Ministrisë së Drejtësisë, Donald Lu tha se Shqipëria ka nivelin më të ulët të ndjekjeve penale. Për këtë fenomen, Ambasadori Lu ka marë shembullin e dy emrave mjaft të njohur për publikun.

“Reformës në drejtësi i tremben kriminelë që kanë kryer vepra të rënda. Arben Frroku i cili vrau një oficer policie, por u largua në mënyrë të mistershme ndërsa priste apelimin. Persona të tjerë si i dënuari për drogë Emiljano Shullazi, i akuzuar në media për trafikim të vazhdueshëm. Shullazi është akuzuar haptazi në media për trafikim të vazhdueshëm dhe për vrasje. Por nuk është dërguar para drejtësisë. Persona si Sokol Mjacaj që u dënua për vrasjen e një fëmije 13-vjeçar dhe që më herët u lirua në mënyrë të dyshimtë nga burgu dhe vrau një çift turistësh”- tha Donald Lu.

Sa u takon propozimeve të ekspertëve për reformën në drejtësi, Lu tha se ata kanë pasur parasysh katër qëllime kryesore:

Të luftohet korrupsioni dhe ndikimi politika

Të parandalojnë që gjykatësit dhe prokurorët të mos mbrojnë gjykatës dhe prokurorë të tjerë të korruptuar dhe të paaftë.

Të shmangin kapjen politike nga cilado parti

Të sigurohen që sistemi është në përputhje me standardet ndërkombëtare

“Unë besoj se kjo reformë i përmbush këto katër qëllime. Së fundmi kam kuptuar se disa persona u thuhet se çfarë duhet të thonë ose më keq akoma se çfarë nuk duhet të thonë. Nëse kjo është e vërtetë më kujton të shkuarën komuniste të Shqipërisë sesa të ardhme demokratike. Ky është sistemi juaj i drejtësisë, kini kurajën që të flisni atë që mendoni dhe mos përsërisni çfarëdo gjëje që u kanë thënë. Mos u trembni nga këta të pafytyrë! Shpresoj që Shqipëria të jetë një vend më i sigurt dhe me shumë kriminelë në burgje”, përfundoi ambasadori amerikan.

Në tryezë marrin pjesë ekspertë të nivelit të lartë, prokurorë, gjyqtarë, dhe ekspertë të drejtësisë penale.

Exit mobile version