Site icon PORTALB

Të lumtë Shkelzen, të lumtë Jetmir!

Mr. Bekim Ramadani

Bekim Ramadani, etnomuzikolog

Dashamirët e artit të Apolonit patën mundësi që sonte të shkëputen për disa çaste, jo vetëm nga pluhurajri i ndotjes fizike, por edhe nga papastërtia mendore e shpirtërore, duke kundërmuar aromën e tingujve, të butë e të këndshëm, të lehtë e të gëzueshëm, të fortë e magjikë, të prodhuar nga dy instrumente të vjetra të të njëjtës familje.

Violinisti Shkelzen Pajaziti dhe kitaristi Jetmir Mehmedi arritën që në këtë mbrëmje të ftohtë nëntori të sjellin ngrohtësi në zemrat e trishta, rregull në shpirtrat e prishur dhe paqe në mendjet e dalldisura. Temat e përzgjedhura, motivet e përziera, ngjyrat e larmishme tingullore dhe nuancat interpretuese mjeshtërore ishin sprovë estetike prore.

E ndjeva sikur publiku frymonte lehtë, sikur në qelizat e tyre ishte vendosur baraspesha në mes arsyes, njohjes dhe të bukurës, andaj dua të besoj që sonte pjesëmarrësit e këtij aktiviteti do të flenë më qetë. Fundja, nuk ka rëndësi se si do të flenë, është me rëndësi se si do të zgjohen, a do të arrijnë që efektin katarzë të shfaqjes duo, t’ua transmetojnë të tjerëve, e ata të tjerët bashkëqytetarëve të helmuar…

Nuk dua  t’ju lodhë shumë sepse ju ndoshta edhe keni ra në gjumë… Atëherë, natën e mirë! Jo, jo, para se të them natën e mirë, dua të them:

Të lumtë Shkelzen, të lumtë Jetmir!

Exit mobile version